Çollaku: Kosovës i mungon armatimi i avancuar për mbrojtje, duhen sisteme raketore moderne - Gazeta Express
string(88) "collaku-kosoves-i-mungon-armatimi-i-avancuar-per-mbrojtje-duhen-sisteme-raketore-moderne"

Lajme

Gazeta Express

28/06/2025 9:26

Çollaku: Kosovës i mungon armatimi i avancuar për mbrojtje, duhen sisteme raketore moderne

Lajme

Gazeta Express

28/06/2025 9:26

Njohësi i sigurisë dhe profesori universitar i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, vlerësoi se Kosova ndodhet ende në fazën fillestare të konsolidimit ushtarak në aspektin e pajisjeve luftarake.

Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se vendi nuk ka kapacitete të rënda të armatimit, përfshirë sisteme raketore apo mburoja mbrojtëse, që janë thelbësore në rast të një sulmi modern me dronë apo raketa, siç janë bërë të zakonshme në luftërat bashkëkohore.

“Duhet pranuar që Kosova është në atë fazën fillestare të konsolidimit ushtarak në aspektin e pajisjeve luftarake. Ne të gjithë e dimë që nuk kemi armatim të rëndë, nuk kemi as sisteme raketore, nuk kemi as mburojë raketore, që do të thotë në aspektin e ndonjë sulmi eventual raketor, meqë sot janë aktuale dronët dhe raketat, tanket dhe njësitë tjera të blinduara me pak janë prezente”, tha Çollaku.

Ai tha se teknologjia dhe digjitalizimi kanë ndryshuar rrënjësisht konceptin e luftës moderne, ku pajisjet inteligjente kanë epërsi ndaj resursit human.

“Kemi një ndryshim rrënjësor të doktrinës luftarake dhe të konceptit të luftës dhe fitores në betejë, sepse tani digjitalizimi dhe teknologjia e avancuar e ka primatin në raport me resursin human. Dronët dhe fluturaket e tjera janë gjithnjë e më shumë në epërsi, sidomos sistemet raketore,” tha ai.

Duke e krahasuar situatën me Serbinë, Çollaku shtoi se shteti fqinj është shumë më i përgatitur në aspektin ushtarak dhe teknik dhe nuk ka nevojë për sisteme me rreze të gjatë, për shkak të afërsisë gjeografike me Kosovën.

“Serbia në aspektin hapësinor është shumë afër me ne, nuk ka nevojë që të disponojë sisteme raketore të domosdoshme largvepruese, por edhe ato që janë më të lehta dhe pak të kushtueshme , e të gjithë e dimë që Serbia masivisht është furnizuar me pajisje dhe armatim. Në aspektin teknik-ushtarak qëndron në nivel të lartë në raport me fuqitë e tjera të rajonit”, vlerësoi ai.

Megjithatë, Çollaku nuk e sheh këtë si arsye për panik, duke shtuar se Kosova ka forca dhe vullnet për mbrojtje, që historikisht kanë dëshmuar sukses kundër forcave pushtuese.

“Por mos të tingëllojë kjo për opinionin si disfatë. Kosova ka FSK-në, ka Policinë, ka vullnetin real qytetar për të mbrojtur vendin. Sepse luftërat mbrojtëse gjithmonë kanë fituar në raport me luftërat pushtuese. Sot, në aspektin ushtarak, doktrinar dhe ligjor jemi shumë më të avancuar sesa dikur kur ishte UÇK-ja në male dhe i rezistoi me mundësitë që kishte”, tha ai.

Po ashtu, shtroi nevojën urgjente për forcim dhe modernizim të kapaciteteve ushtarake të Kosovës, duke kërkuar pajisje dhe sisteme mbrojtëse të avancuara, me theks të veçantë në mbrojtjen raketore.

“Pa dyshim që na duhet përforcim, konsolidim, na duhet furnizim me armatime dhe sisteme bashkëkohore të mbrojtjes raketore, meqë tashmë sistemet raketore janë më të avancuara dhe sistemet më primare në betejat e luftës”, tha për EO, Çollaku.