Arsenali është gati të nisë një ofensivë për Marc Casadó. Skuadra londineze po përgatit një ofertë afër 40 milionë eurove për të bindur FC Barcelonën që të shesë mesfushorin e ri. Propozimi vjen në një moment vendimtar për klubin katalanas, i cili, pas afrimeve të Joan García dhe Nico Ëilliams, ka nevojë të lirojë hapësirë në pagat dhe të gjenerojë të ardhura për të vepruar më lirshëm në merkato.
Mikel Arteta ka identifikuar drejtpërdrejt Casadó si një përforcim strategjik. Trajneri spanjoll beson se mesfushori 21-vjeçar i përshtatet stilit të tij të lojës: një profil i ri, i disiplinuar, me aftësi taktike dhe forcë në rikuperim. Qëllimi në “Emirates” është të forcohet baza e mesfushës përpara se të synohet një sulmues, dhe Casadó tani është një përparësi kryesore në këtë plan.
Lojtari, i formuar në La Masía, ka pasur një rol të luhatshëm gjatë sezonit të kaluar, duke shkëlqyer në fillim, por duke humbur hapësira pas rikthimit të Frenkie de Jong. Ngjitja e Marc Bernal ka kufizuar gjithashtu mundësitë e Casadó për vazhdimësi. Ndërsa Barcelona vlerëson potencialin e tij, konkurrenca e brendshme e bën të paqartë të ardhmen e tij.
Arsenali po shqyrton edhe mundësinë për ta çiftuar atë me Martín Zubimendi, një tjetër mesfushor në radar. Kjo dyshe do të sillte ekuilibër dhe perspektivë afatgjatë. Aktualisht, Casadó nuk ka kërkuar largim, por është i vetëdijshëm se situata nuk është në favorin e tij.
Barcelona nuk e përjashton largimin e tij nëse konfirmohet një ofertë solide. Casadó ka kontratë deri në vitin 2028, por një shitje për 40 milionë euro do të konsiderohej përfitim ekonomik pa prekur ndjeshëm strukturën e ekipit. Vendimi i përket Decos, i cili duhet të peshojë mes investimit në rritjen e lojtarit apo përfitimit financiar. Ndërkohë, Arsenali ka ndërmarrë tashmë hapat e parë.