Sot shënohet festa e Vidovdanit, policia me apel: Shmangni provokimet - Gazeta Express
string(67) "sot-shenohet-festa-e-vidovdanit-policia-me-apel-shmangni-provokimet"

Lajme

Gazeta Express

28/06/2025 7:58

Sot shënohet festa e Vidovdanit, policia me apel: Shmangni provokimet

Lajme

Gazeta Express

28/06/2025 7:58

Serbët do të shënojnë sot festën e Vidovdanit, e cila do të kremtohet në Gazimestan, në periferi të Prishtinës.

Policia e Kosovës thotë se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘Vidovdan”.  

Ajo ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit që të manifestojnë të qetë e të shmangin provokimet.

“Lidhur me manifestimet e “Vidovdan-it”, të cilat pritet të mbahen me 28 qershor 2025, Policia e Kosovës (PK), me kohë ka ndërmarrë masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë me dije se kanë mbajtur takim zyrtar lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan.

“Nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim”, bëhet e ditur tutje në njoftimin policor.

Tutje, thuhet se nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente.

“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm”, thuhet në apelin që policia i ka drejtuar pjesëmarrësve në këtë manifestim.

Po ashtu, kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në fund të këtij njoftimi të shpërndarë nga Policia e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje gjatë mbledhjes së qeverisë ka thënë se ka paralajmërime për destabilizim në shënimin e Vidovdanit, festë kjo fetare, e cila tradicionalisht organizohet nga serbët më 28 qershor në Gazimestan. Kurti tha se ndonëse kjo ditë ka karakter fetar, ajo fatkeqësisht është keqpërdorur nga autoritetet e Beogradit për të përcjellë retorikë politike, nxitëse dhe kërcënuese ndaj sigurisë publike në Kosovë.

 “Beogradi zyrtar që po përballet me protesta gjithandej të studentëve dhe jo vetëm po përpiqet që ta zhvendos vëmendjen diku tjetër. Në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës antiqeveritare e antiregjim të së njëjtës ditë në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive të nxisin incidente në Gazimenstan”, tha Kurti.

Ai tutje tha se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, janë duke u bërë përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Kryeministri tha se janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina për të ardhur në Kosovë, dhe se këto grupe tradicionalisht kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithashtu janë kundër vlerave demokratike dhe evropiane.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb në Kosovë që të respektojnë ligjin dhe të moslejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që gjithashtu të mos bien pre e asnjë provokimi nga kushdoqoftë në ditën e nesërme”, ka theksuar Kurti.

Ai tha se tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin.

“Tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin dhe jo të shndërrohen në një mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd, të cilat tentojnë ta eksportojnë krizën e brendshme politike përmes provokimeve në Kosovë, vetëm për t’u paraqitur më pas si kinse mbrojtës të interesave kombëtare të tyre dhe të serbëve në Kosovë përmes narracioneve propagandistike dhe klero-nacionaliste. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të garantuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve dhe nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë, rendin sigurinë dhe paqen publike në Kosovë”, tha ai./RTK/