Kurti i ftoi për ‘konsensus’ për konstituim të Kuvendit, kush shkon sot në takim nga partitë - Gazeta Express
string(89) "kurti-i-ftoi-per-konsensus-per-konstituim-te-kuvendit-kush-shkon-sot-ne-takim-nga-partite"

Lajme

Gazeta Express

28/06/2025 7:43

Kurti i ftoi për ‘konsensus’ për konstituim të Kuvendit, kush shkon sot në takim nga partitë

Lajme

Gazeta Express

28/06/2025 7:43

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dje mori përgjegjësinë pasi një ditë me parë Gjykata Kushtetuese tha se i takon grupit parlamentar më të madh të arrijë konsensus dhe kompromis për zgjedhjen e kryetarit, duke dërguar ftesa te krerët e subjekteve parlamentare.  Por, kur njoftoi se u ka çuar fjalë liderëve evitoi fjalën kompromis duke thënë se do të bëhen përpjekje për konsensus.

Kurti njoftimin e bëri duke nisur me leximin e partisë së tij lidhur me aktgjykimin që nxori Kushtetuesja, duke thënë se aty theksohet qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë, raporton Gazeta Express.

“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, shkroi dje Kurti.

Për këtë takim e kanë konfirmuar pjesëmarrjen partitë shqiptare në Kuvend, PDK, LDK, AAK e Nisma.

Nga PDK do të shkojë kreu i partisë, Memli Krasniqi.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në deklarimin për media që pati dje pas seancës.

“Kryetari jonë, z. Krasniqi e përfaqëson partinë në takim dhe qëndrimet që dalin pas atij takimi i shpreh kryetari”, tha Gruda, duke shtuar se i thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes nuk është kompromis politik.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, konfirmoi pjesëmarrjen e partisë së saj, por nuk tregoi nëse do të jetë kryetari Lumir Abdixhiku apo ndonjë tjetër nga partia.

Konfirmimin ajo e bëri krahas një ankese për Kurtin, i cili dje e injoroi takimin e thirrur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ku ishin liderët e tjerë të partive.

“LDK-ja do të marrë pjesë nesër në takim pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje vetëm para pesë minutave Kurti s’e mori mundin që prej sallës plenare me ardhë deri te salla numër 10 në takimin ku ishin prezentë të gjithë liderët e partive politike”, tha dje Bajrami.

Nga AAK s’do të shkojë kryetari Ramush Haradinaj, por deputetja Time Kadrijaj, siç ka konfirmuar dje zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemaili.

Sidoqoftë, Haradinaj këtë ftesë të Kurtit e quajti “të palogjikshme” të ndodhte për sot meqë është dashur të ndodhte dje para seancës, e cila ishte e para pasi Gjykata Kushtetuese dha fjalën e saj.

Po ashtu, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, do të shkojë vetë në takim, të cilin e pa si pjesë të ‘vizionit’ të tij.

Ai para gazetarëve e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në këtë takim.

“Sigurisht që po, është në vazhdën e vizionit tim”, u shpreh tutje Limaj.