SBASHK përmes një komunikate për media ka njoftuar se u ka bërë apel tek mësimdhënësit e arsimit parauniveristar që të mos i nënshkruajnë kontratat e reja të punës. Në komunikatë thuhet se kërkesa për nënshkrimin e kontratave të reja të punës, është rishfaqur në komunën e Vushtrrisë, shkruan Gazeta Express.
Në reagimin e SBASHK thuhet se versioni kontratës së re, është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 10/2015, i cili është në fuqi dhe se ka më pak të drejta të precizuara.
‘‘SBASHK apelon te mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar: Mos nënshkruani kontrata të reja të punës
Ditët e fundit, në komunën e Vushtrrisë është rishfaqur kërkesa për nënshkrimin e kontratave të reja të punës, pavarësisht se mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar tashmë kanë kontrata pune me afat të pacaktuar. Versioni i Kontratës së re është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 10/2015 ,që është në fuqi dhe dhe ka më pak të drejta të precizuara, krahasur me Kontratat që kanë punëtorët e Arsimit Parauniversitar’’, thuhet në komunikatë.
Më tej, SBASHK-u i ka bërë thirrje edhe komunës së Vushtrrisë që të ndalë ‘‘këtë praktikë të gabuar’’ si dhe ‘’presionin’’ ndaj mësimdhënësve.
‘‘SBASHK kërkon nga komuna e Vushtrrisë që menjëherë të ndalë këtë praktikë të gabuar dhe presionin ndaj mësimdhënësve, si dhe u bën thirrje të gjitha komunave tjera që të mos ndjekin këtë shembull të dëmshëm, i cili bie ndesh me të drejtat e garantuara të punëtorëve’’, thuhet në reagim.
Tutje, thuhet çdo formë e presionit për nënshkrim kontrate të pafavorshme përbën shkelje të Kodit të Punës
‘‘Njëkohësisht, apelojmë te të gjithë anëtarët tanë, që kanë kontrata me afat të pacaktuar, të mos nënshkruajnë këto versione të reja të kontratave, edhe në rast se ndihen të presionuar nga punëdhënësit. Kujtojmë se çdo formë presioni për nënshkrim kontrate të pafavorshme përbën shkelje të Kodit të Punës (Ligji Nr. 03/L-212), e cila mund të sjellë pasoja ligjore për punëdhënësin. Çdo rast i tillë mund dhe duhet të raportohen në SBASHK për trajtim institucional’’, thuhet në komunikatë. /GazetaExpress