Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, përmes një postimi në Facebook, ka ndarë një video të deputetit gjerman Johannes Volkmann, teksa mban një fjalim në parlamentin gjerman duke përmendur edhe Kosovën.
Ajeti ka shkruar se Volkmann, i cili është nipi i ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, njërit nga mbështetësit e mëdhenj të Kosovës, ka kërkuar që kjo e fundit të pranohet nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.
Po ashtu, deputeti gjerman ka bërë thirrje edhe për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
‘‘Falemnderit Johannes! Ndërsa fjalimi i fundit i Helmut Kohl në Bundestag ishte më 1 korrik 1999, nipi i tij, Johannes, debutoi dje me fjalimin e tij të parë në Bundestag – dhe atë me një mbështetje të fuqishme për Kosovën, me rastin e votimit për zgjatjen e misionit të Bundeswehr-it në Kosovë. Një fjalim i jashtëzakonshëm, që bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së, anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, si dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë’’, ka shkruar Ajeti. /GazetaExpress