Kurti alarmoi për provokime që priten, Zyra e BE-së fton për përmbajtje dhe festime të qeta të Vidovdanit - Gazeta Express
string(104) "kurti-alarmoi-per-provokime-qe-priten-zyra-e-be-se-fton-per-permbajtje-dhe-festime-te-qeta-te-vidovdanit"

Lajme

Gazeta Express

27/06/2025 15:24

Kurti alarmoi për provokime që priten, Zyra e BE-së fton për përmbajtje dhe festime të qeta të Vidovdanit

Lajme

Gazeta Express

27/06/2025 15:24

Në prag të festës së Vidovdanit, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka bërë thirrje që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje maksimale dhe festimet të jenë të qeta.

“Lidhur me festimet e të Vidovdanit, BE në Kosovë u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të tregojnë përmbajtje maksimale, në mënyrë që të mundësohet një zhvillim i qetë i festimeve”, tha Zyra e BE-së në Kosovë.

Kjo deklaratë vjen pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të  Qeverisë ka thënë se pushteti në Serbi mund të nxisë incidente në Gazimestan, që ta heqë vëmendjen nga protestat e brendshme që do të zhvillohen nesër në Beograd.

Kjo zyre ka komentuar edhe vendimin e fundit të Gjykatës Themelore në Graçanicë lidhur me shfaqjen e flamurit serb në këto festime.

Gjykata Themelore kishte konstatuar se Komuna e Graçanicës me vendimin për vendosjen e flamurit serb me rastin e festës së Vidovdanit ka cenuar rëndë karakterin unitar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket shfaqjes së flamurit serb, jemi të informuar për vendimin e fundit të Gjykatës Themelore në Graçanicë, i cili aktualisht është në proces ankese. Në këndvështrimin tonë, ky vendim nuk i garanton plotësisht të drejtat kushtetuese të serbëve të Kosovës. Bazuar në vlerësimin tonë, çështja është brenda kompetencave administrative të Komunës së Graçanicës. Ne nuk e inkurajojmë interpretimin e zgjeruar të këtij vendimi nga institucionet e Kosovës në mënyra që mund të cenojnë të drejtat kulturore ose fetare të individëve apo të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), të cilat janë të garantuara me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës”, tha Zyra e BE-së për KosovaPress.

Vidovdani ose Dita e Shën Vitit shënohet çdo 28 qershor nga populli serb dhe lidhet me ‘Betejën e Kosovës’ më 28 qershor 1389 midis forcave ballkanase të udhëhequra nga princi Lazar dhe Perandorisë Osmane të udhëhequr nga Sulltan Murati.