Episodi përmbyllës i sezonit të parë të emisionit “Përtej Kufijve” solli rrëfimin e veçantë të Dhespina Xhahollit, të resë shqiptare me origjinë nga Devolli i Korçës, e cila prej një dekade jeton dhe punon në Gjermani. Në një intervistë me autoren Malbora Gurra, Dhespina ndau për publikun historinë e saj të emigrimit, sfidave të para dhe rrugës së gjatë drejt suksesit e integrimit.
E zhvendosur në vitin 2015 së bashku me familjen si azilkërkuese, Dhespina kujtoi se përballja me një realitet të ri nuk ishte e lehtë, veçanërisht në fazat e para të aplikimit për qëndrim. “Kam lënë klasën e tetë në Shqipëri. Kur erdha këtu, më vendosën në klasën e shtatë. Por u përshtata aq shpejt, sa brenda një viti arrita të mbaroj të dyja klasat”, tregoi ajo, duke dëshmuar një vullnet të jashtëzakonshëm për të ecur përpara.
Sot, ajo mban pozicionin e menaxheres së një institucioni shëndetësor në Gjermani, një arritje që flet jo vetëm për përkushtimin e saj personal, por edhe për mundësitë që krijohen kur puna dhe integrimi shkojnë paralelisht.
Pjesë e intervistës ishin edhe dy shqiptarë nga Kosova, të cilët punojnë po ashtu në sistemin gjerman të kujdesit shëndetësor, duke rrëfyer përvojat e tyre të emigrimit dhe përshtatjes në një shoqëri të re.
Ky episod final përmbylli një sezon të suksesshëm të emisionit “Përtej Kufijve”, që ka ndriçuar historitë e shqiptarëve që lartësojnë vlerat tona përtej trojeve amtare.