Nga një tubim me qytetarët në Gostivar, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, drejtoi një sfidë të drejtpërdrejtë për Arben Fetain dhe Azir Aliun – dy figura të lidhura me koalicionin VLEN dhe ish-BDI-në.
“I sfidoj Azir Aliun dhe Arben Fetain: Dilni në Gostivar e Likovë si kandidatë. Nëse merrni më shumë se 1 mijë vota shqiptare, unë nuk merrem më me politikë. Po e them publikisht!” – deklaroi Taravari, duke kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas tij, kandidatët shqiptarë po i nënshtrohen aprovimimeve të VMRO-së.
Ai denoncoi varësinë politike ndaj partive maqedonase:
“Këta njerëz kanë varur pushkën te VMRO-ja. Shkojnë një nga një te Mickoski dhe marrin ‘aminin’ për kandidaturë. Edhe më parë shkonin te Zaevi. E tash shkojnë për herë të gjashtë te Mickoski. Po a nuk është më e ndershme të dalin para shqiptarëve dhe të marrin votat e tyre?”
Taravari e përshkroi situatën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si alarmante:
“Shqiptarët sot janë të margjinalizuar më shumë se kurrë. Dhe ne nuk mund të jemi yzmeqarë të maqedonasve. Ne mund të jemi vetëm partnerë të barabartë. Koha e yzmeqarllëkut ka mbaruar që në vitet ’90.”
Lideri i ASH-së vuri në dukje dy arsye kryesore që e cilësojnë momentin aktual si një gjendje të jashtëzakonshme për shqiptarët: Procesi i bllokuar i integrimeve evropiane dhe margjinalizimi ekstrem i shqiptarëve në institucionet shtetërore
“Pyetini shqiptarët në çdo institucion: A jeni më mirë sot se një vit më parë? – Do t’ju thonë: ‘Jemi shumë më keq!’” – tha ai.
Taravari bëri thirrje për një front të përbashkët shqiptar, të lirë nga interesat e ngushta dhe llogaritë për poste afatshkurtra: “Ju që ende qëndroni për një pozitë, mendoni: A ia vlen për katër muaj? Hajdeni dhe bashkohuni në një front të përbashkët shqiptar, për t’iu treguar maqedonasve: ‘Ne jemi partnerët tuaj – jo shërbëtorët tuaj.’”
***
Taravari: Dolëm nga qeveria sepse premtimet nuk u realizuan!
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një fjalim të mbajtur para strukturave të partisë në Gostivar, ka shpalosur arsyet e largimit nga qeveria dhe ka akuzuar hapur partnerin qeveritar VMRO-DPMNE për mashtrim dhe mosrealizim të marrëveshjes politike.
“Para një viti e disa muajsh, ne vendosëm të sjellim ndryshimin – së paku kështu thamë,” deklaroi Taravari, duke përmendur se Aleanca e nisi rrugëtimin nga komunat si Gostivari dhe Tetova, për ta shtrirë më pas në të gjitha vendbanimet shqiptare. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të 8 majit – me 107 mijë vota – ishte dëshmi se qytetarët i besuan premtimeve të kësaj force politike.
Taravari rikujtoi se bashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në bazohej në katër pika: Eurointegrimi, Decentralizimi fiskal, Lufta kundër korrupsionit dhe Zhvillimi ekonomik.
Por, siç theksoi ai, “sot jemi më keq se një vit më parë.” Eurointegrimi është bllokuar, Kushtetuta nuk është ndryshuar dhe negociatat me BE-në nuk janë hapur. Përkundrazi, tha ai, “jo vetëm që nuk ecëm përpara, por u kthyem prapa.”
Po ashtu, lideri i ASH-së denoncoi projektligjin për pushtetin lokal si “më centralizues se më parë”, duke sqaruar se komunat kanë sot më pak kompetenca. “Ne nuk do ta votojmë këtë ligj,” u zotua ai.
Në lidhje me luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Taravari tha se përveç “rastit të Kocanit”, nuk ka asnjë zhvillim domethënës, ndërsa në planin ekonomik, akuzoi qeverinë për diskriminim ndaj shqiptarëve.
“Shteti mori një kredi prej 250 milionë euro nga Hungaria për ndihmë të kompanive private. U përkrahën 200 kompani – asnjëra në pronësi shqiptare. Zero!” tha ai me theks.
Në këtë kontekst, Taravari u shpreh se Aleanca për Shqiptarët ka vendosur të tërhiqet nga qeveria jo për shkak të ndonjë pozite të humbur, por për shkak të mungesës së rezultateve dhe për të ruajtur besimin e qytetarëve.
“Dhe në këtë situatë, duhej të vazhdonim të qëndronim në qeveri? Jo. Ne vendosëm që të dalim në opozitë. Kjo është hera e parë që një parti shqiptare del vetë nga qeveria për arsye parimore. Na ka ndodhur edhe në vitin 2017 si Aleancë, por atëherë sepse na hoqën Ministrinë e Shëndetësisë. Tani nuk është çështje poste. Na ofruan edhe drejtori, por ne thamë jo. Kthehemi te populli, sepse ajo që premtuam, nuk po e realizojmë. Na ofruan drejtori, por thamë jo. Kthehemi te populli, sepse ajo që premtuam, nuk po e realizojmë,” tha Taravari.
Ky veprim, sipas tij, është një precedent historik në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pasi është hera e parë që një parti shqiptare largohet nga pushteti për arsye parimore dhe jo për interesa personale.
***
Valboni është më i mirë se unë – Taravari flet për pasardhësin dhe të ardhmen në Gostivar
Në një fjalim të mbajtur në Gostivar, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka folur për kandidaturën e Aleancës për Shqiptarët në Gostivar, duke thënë që Valbon Limani jo që do të jetë kandidat por është kryetar i ardhshëm i Gostivarit.
“Disa portale shkruajnë se unë do të rikandidoj në Gostivar. Jo! Kandidati është Valbon Limani. Ai do të jetë kryetari i ardhshëm i Gostivarit. Për vete, nuk planifikoj më asnjë pozicion publik. Por do të mbetem kryetar partie – me plane të qarta dhe vizion afatgjatë.Gjenerata e re përfshin edhe Blerand Ramadanin, një figurë që premton shumë. Na duhen edhe njerëz me përvojë, si Isen Shabani, një nga kryetarët më të suksesshëm shqiptarë”, tha Taravari.
Duke folur për nevojën e gjeneratës së re në politikën shqiptare, Taravari e përmendi me entuziazëm emrin e Valbon Limanit, për të cilin tha: “Më ndalin njerëzit në Gostivar dhe më thonë: ‘Valboni është më i mirë se ti.’ Dhe kjo më gëzon! Kur pasardhësi yt është më i mirë, kjo është arritje.”
***
Taravari nga Gostivari: Bashkimi me Adnan Azizin dhe Izet Mexhitin, është rikthim tek BDI-ja
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një takim me qytetarët e Gostivarit, theksoi se vendimi për të dalë nga qeveria ishte i domosdoshëm dhe se kjo veprim krijoi një alarm të fortë në opinionin publik dhe “shkundi sistemin”.
“Është e vërtetë që disa ish-anëtarë tanë mbetën në pozita, por ata nuk kanë më identitet politik. Nëse i pyesni ku do të jenë pas tetorit, as vetë nuk e dinë,” deklaroi Taravari.
Ai theksoi gjithashtu se bashkimi i disa aktorëve politikë shqiptarë me Adnan Azizin dhe Izet Mexhitin është në fakt një rikthim tek BDI-ja.
“Do të bëjmë Vetëvendosjen në Maqedoni, do t’i bashkëngjitemi Adnan Azizit dhe Izet Mexhitit. Por praktikisht, kjo është bashkim me BDI-në. Izet Mexhiti është BDI, Adnan Azizi ka qenë BDI. Nuk e kuptoj logjikën e tyre: nga njëra anë thonë se nuk duan të bashkohen me BDI-në, nga ana tjetër i bashkohen një rryme që rrjedh prej BDI-së dhe e bartin me vete bëdëizmin,” u shpreh Taravari.
Ai shtoi se të paktën BDI-ja ka nisur një proces të vettingut të brendshëm dhe po promovon figura të reja politike, ndërsa Aleanca për Shqiptarët ka të njëjtin synim, duke punuar për një gjeneratë të re politike.
Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar për forcimin e identitetit politik shqiptar dhe bashkimin e faktorëve politikë për të ardhmen e komunitetit tonë.