Së shpejti aktakuzë ndaj ambasadorit Martin Berishaj? Çfarë po raportohet në media - Gazeta Express
string(81) "se-shpejti-aktakuze-ndaj-ambasadorit-martin-berishaj-cfare-po-raportohet-ne-media"

Lajme

Gazeta Express

27/06/2025 13:21

Së shpejti aktakuzë ndaj ambasadorit Martin Berishaj? Çfarë po raportohet në media

Lajme

Gazeta Express

27/06/2025 13:21

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, së shpejti do të nis përballjen me drejtësinë.

Një ditë pas intervistimit të tij, Nacionale ka mësuar ekskluzivisht se së shpejti, Prokuroria Speciale do të ngre aktakuzë ndaj Martin Berishajt.

Burimet nga organet e drejtësisë kanë thënë se ka prova të mjaftueshme për t’u ngritur aktakuza ndaj Martin Berishajt. Sipas po të njëjtave burime, aktakuza pritet të ndodh shpejt.

Në bazë të asaj që ka mësuar Nacionale, Berishaj ka tërhequr sasi të parave në ‘cash’ dhe për të njëjtat nuk ka mbulesë se si i ka siguruar. Si rezultat, prejardhja e tyre është e dyshimtë.

Se është intervistuar si i dyshuar për shpërlarje parash, shmangie nga tatimi dhe raportim të rrejshëm të pasurisë, e konfirmoi dje edhe Prokuroria Speciale.

“Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z.Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga Tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave , i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, thuhet në përgjigje.

E akuzat ndaj tij i ka mohuar avokati Tomë Gashi. Ai kishte thënë se Martin Berishaj vetëm ka dhënë disa sqarime.

“Per ti ndihmuar Prokurorise Speciale te Kosoves sot zotni Martin Berishaj ka dhene deklarat sqaruese me te cilen ne besojme qe i ka ndihmuar Prokurorise per te eliminuar çdo dyshim per aferen e ndertuat nga gazetari serb i aferm me sherbimin sekret te Serbis me qellim te demtimit te reputacionit te Profesorit Martin Berisha i cili eshte hale ne sy te serbis edhe te disave qe me vetedije apo pa vetedije i shtyjn agjendat e Serbis Ne i falenderohemi Prokurosise e cila perfundimisht besojme qe e ka kristal te qarte se Martin Berishaj ka pesuar paksa demtim kolaterale te atyre qe ne menyre patologjike e urrejne Levizjen Vetevendosje e posacerisht Kryeministrin me te mire qe e ka pas Kosova ndonjere zotni Albin Kurti”, ka shkruar avokati Gashi.

Megjithatë, ky nuk është intervistimi i parë për Martin Berishajn në Prokurorinë Speciale.

Para rreth një viti, ai ishte intervistuar në Prokurorinë Speciale.

“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.” – thuhej në njoftim.

Ndër të tjera, Prokuroria Speciale në njoftim kishte bërë të ditur se edhe më parë kishin ftuar Berishajn për intervistim por që i njëjti kishte kërkuar shtyrje të intervistimit.

“Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador.” – thuhej në përfundim të njoftimit.

Para dy vitesh, mediat sllovene shkruajtën për një skandal të madh financiar, ku ishte i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohej për shpëlarje parash, dukej që ishte përfshirë edhe ambasadori Berishaj.

Një televizion slloven, Planet TV, kishte raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Në raportimet e medies sllovene, Berishaj dyshohej se ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Në lidhje me këto akuza, ambasadori i Kosovës e kishte shkruar një status të gjatë në Facebook, ku kishte provuar që t’ju jepte përgjigje akuzave që i qëndrojnë mbi kokë, ndonëse shkrimi i tij vetëm se e kishte zgjeruar edhe më shumë mjegullnajën rreth rastit.