Partitë parlamentare e kanë interpretuar në mënyra të ndryshme vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke lënë të kuptohet bllokada në Kuvend pritet të vazhdojë edhe në grumbullimin e parë pas vendimit.
Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke komentuar aktgjykimin, tha se “votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra është i lejuar”.
“Të gjitha partitë duhet të angazhohen për ta konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në Kryesinë e Kuvendit”, tha Murati.
Por, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se “rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt”.
“Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa”, shtoi ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës tha se vendimi përcaktoi se Vetëvendosje “nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, se duhet të sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet parlamentare”.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se kjo parti nuk mund të mos shprehet e lehtësuar që kërkesa e saj për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është “pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar”./REL/