Ish-kryeinspektorin e AKI-së, Burim Ramadani, ka komentuar situatën politike, ku Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj të së enjtes, ka pohuar se deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Ramadani ka pohuar se VV duhet të veprojë, duke ndërruar kandidatin për kryeparlemenetar.
“VV të mos vajtojë, por të veprojë! Sot, VV nuk duhet të vajtojë (kundërshtojë) humbjen klasike. VV duhet të ndrrojë kandidatin, si pjesë e asaj që Gjykata Kushtetuese e ka obliguar për të pasur bashkëpunim dhe konsulta konstruktive me grupet tjera parlamentare (pikat 130 dhe 190). Votimi i fshehtë as që bëhet fjalë”, ka shkruar Ramadani.
Mes tjerash, ai ka pohuar se ” AAK që shënoi fitore institucionale përmes dërgimit të rastit në Gjykatë Kushtetuese, nuk duhet të ndryshojë qëndrimin se ia voton VV-së kandidatët si Glauk Konjufca, Saranda Bogujevci, Shqipe Selimi”.
“PDK që ishte pjesë e takimit të vetëm konsultativ me VV, duhet po ashtu të qëndrojë në pozicionin e saj që ka votë për ndonjë kandidat tjetër të VV-së, që paraqet më shumë bashkëpunim. LDK duhet të ndrrojë qëndrimin se nuk voton. Të paktën, në respektim të Gj. Kushtetuese, LDK duhet të merr pjesë në votim, edhe nëse voton “kundër” apo “abstenon”. Kështu, sot mund ta konstituohet Kuvendi”, theksoi ai.
Ai thotë se topi është në dorën e VV-së.
Ndryshe, Gjykata vlerësoi se Kuvendi nuk është konstituuar sipas Kushtetutës, pasi procesi i filluar më 15 prill nuk ka përfunduar me zgjedhjen e organeve drejtuese. Kjo, sipas saj, e bën të pavlefshme çdo veprim tjetër që pretendon të ketë marrë legjitimitet nga një seancë që nuk ka përmbushur elementet themelore të konstituimit.
Gjykata theksoi se Seanca Konstituive është një akt kushtetues, i cili mund të quhet i përfunduar vetëm pas zgjedhjes së Kryesisë, përkatësisht Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.