Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Takimi u zhvillua në kuadër të komunikimit të rregullt ndërmjet institucioneve të dy vendeve dhe kishte në fokus zhvillimet aktuale me interes të përbashkët. Mes temave të diskutuara ishin rezultatet e fundit nga samiti i NATO-s i mbajtur në Hagë, përgatitjet për Samitin e radhës të Procesit të Berlinit – që këtë vit do të mbahet në Londër – si dhe dinamika e konstituimit të institucioneve të reja në Kosovë.
Një ndër çështjet që u ngrit gjatë takimit ishte edhe arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe më 7 qershor. Kryeministri Kurti theksoi se ai po mbahet padrejtësisht në paraburgim dhe se institucionet e Kosovës janë të angazhuara për lirimin e tij.
Në fund të takimit, Kurti shprehu falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe e uroi ambasadorin Hargreaves me rastin e Ditëlindjes së Mbretit Charles III, që shënohet si festë zyrtare në Britani.