Këtë të shtunë, më 28 qershor, serbët shënojnë Vidovdanin – një datë me rëndësi historike e fetare, që përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389.
Vidovdani, që mbahet kryesisht në Gazimestan, afër Prishtinës, është përdorur shpesh për provokime dhe përhapje të mesazheve shoviniste. Profesorë, historianë e njohës të rrethanave aktuale tregojnë për The Geopost se “Beteja e Kosovës” është shndërruar në ideologji ekspansioniste dhe për qëllime politike, ku është kombinuar synimi politik hegjemonist i shtetit me rrëfimin kishtar.
Për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Syle Ukshini, Beteja e Kosovës është përdorur për të legjitimuar synimet për ekspansion territorial, me qëllim të përhapjes së mitit se gjoja “Kosova është djep i serbizimit.”
“Në kuptimin historik edhe faktografik, është pak e dëshmuar. Madje ka pasur historianë edhe që kanë thënë që s’ekziston. Por, me krijimin e shtetit serb në shekullin e 19-të dhe në përpjekje për t’i legjitimuar synimet për ekspansion territorial, Akademia Serbe dhe sidomos Kisha Serbe e kanë përhapur mitin serb gjoja që Kosova është djep i serbizmit. Në anën tjetër duhet pohuar që, beteja e Kosovës në fakt ishte një koalicion ku ishin edhe hungarezët, edhe kroatët, edhe boshnjakët dhe shqiptarët. Ishte një koalicion i të krishterëve për shkak se edhe shqiptarët ishin të krishterë… Domethënë është një mit, është një përrallë, por që është shndërruar në ideologji ekspansioniste dhe për qëllime politike, ku është kombinuar synimi politik hegjemonist i shtetit me rrëfimin kishtar dhe ky rrëfim në fakt ka sjellë probleme dhe ka sjellë konflikte në Ballkan dhe më e njohura është rasti i vitit 1989 kur është festuar kjo festë dhe serbët që atëherë, Vidovdanin e festojnë jo si një festë kulturore, jo si një festë historike, por si një festë shoviniste, si një festë ku i përjashtojnë të tjerët. Dhe kjo është e keqja dhe kjo është pjesa armiqësore e saj”, ka thënë ai.
Hiç më larg se vitin e kaluar (më 28 qershor 2024), motociklistët serbë, të cilëve u ishte ndaluar hyrja në Kosovë gjatë Vidovdanit, kishin sulmuar verbalisht dhe ofenduar rëndë me sharje pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Kjo është dëshmi se serbët ende jetojnë në mite, thotë gazetari, Radomir Dimiq.
“Në fakt, miti i Kosovës u ndërtua me qëllimin e rivendosjes së perandorisë së Dushanit, dhe kështu një lloj hakmarrjeje për betejën e humbur të Kosovës, ose më saktë një politikë ekspansioniste ndaj Kosovës, veçanërisht pas viteve ’90 kur Kosova, falë politikave dhe regjimit të Slobodan Milosheviqit, tani ka fituar pavarësinë e saj. Pra, kur bëhet fjalë për serbët e Kosovës, mendoj se ata ende nuk e kanë kuptuar plotësisht se çfarë do të thotë miti i Kosovës, se është një mashtrim, se është një lloj feje që përpiqet ta zbresë qiellin në tokë dhe se serbët janë ende populli i Kosovës, se Kosova është ende toka e shenjtë e Serbisë, dhe në thelb është një hapësirë metafizike në të cilën jetojnë shqiptarët dhe që e përjetojnë atë në mënyrë pragmatike si një hapësirë në të cilën jetojnë, dhe jo si një histori qiellore të popullit serb e kështu me radhë”, tha ai.
Sipas tij, serbët e Kosovës janë ende “Kali I Trojës”.
“Serbët e Kosovës janë ende kali i Trojës i politikës jo vetëm të Slobodan Millosheviqit kur u mblodhën në numër të madh në Gazimestan, kur dëgjuam slogane të mëdha dhe kërcënime të mëdha ndaj shqiptarëve të Kosovës, se do t’i dëbojnë të gjithë përmes Bjeshkëve të Nemuna, dhe se kjo politikë e Gazimestanit është në fakt vetëm një vazhdim i një ideologjie që ka zgjatur me shekuj dhe që ende manifestohet përmes ekzistencës aktuale dhe përpjekjes për të rivendosur një lloj bote serbe të Aleksandar Vuçiqit.”
E në studimet e fundit shkencore në Perëndim, si është ai i prof. dr. Oliver Jens Schmitt, njëri nga historianët më të njohur gjermanofonë në Universitetin e Vjenës, Austri, dekonstruktohet pretendimi dhe mitet e historisë serbe për mitin e Kosovës dhe për raportet serbo-osmane gjatë periudhës së hershme të sundimit osman në Ballkan. Schmitt argumenton se serbët u kanë dhënë ndihmë vendimtare osmanëve që këta ta pushtojnë Ballkanin dhe se serbët ishin ndër popujt më bashkëpunues me oborrin osman, rrëzohet pretendimi i deritanishëm se ata, pra serbët, ishin viktima e vetme e këtij invazioni, ndërkohë që popujt e tjerë ishin bashkëpunues dhe përkrahës të tyre. Në këtë kuptim, edhe miti për Betejën e Kosovës del i politizuar dhe i paqëndrueshëm. Serbët e shndërruan betejën në simbol të “sakrificës për atdheun dhe fenë”, duke e glorifikuar humbjen si një fitore morale. Princ Lazar u ngrit në figurë shenjti dhe Kosova u paraqit si “tokë e shenjtë”. Në shek. XX, sidomos gjatë sundimit të Slobodan Millosheviqit, beteja u përdor për të justifikuar pretendimet serbe mbi Kosovën, si “djepi i shtetit dhe fesë serbe”. Narrativa serbe e ka paraqitur betejën si përplasje ekskluzivisht mes “serbëve të krishterë” dhe “osmanëve myslimanë”. /TheGeopost