Sjellja e ashpër e mbrojtjes së afërt të Kurtit, Kushtetuesja ia shpall të papranueshme ankesën gazetares - Gazeta Express
string(104) "sjellja-e-ashper-e-mbrojtjes-se-afert-te-kurtit-kushtetuesja-ia-shpall-te-papranueshme-ankesen-gazetares"

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 14:54

Sjellja e ashpër e mbrojtjes së afërt të Kurtit, Kushtetuesja ia shpall të papranueshme ankesën gazetares

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 14:54

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë si të papranueshme ankesën e gazetares Blerta Dalloshi-Berisha kundër aktvendimit të Prokurorisë së Apelit për pushimin e hetimeve për lëndim të lehtë trupor ndaj njëri prej pjesëtarëve të mbrojtjes së afërt të Kryeministrit të Kosovës.

Gazetarja pretendon se aktvendimi i Prokurorisë së Apelit është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ajo, në ankesë pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj, të garantuara me nenet 27 [ndalimi i torturës, trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues], 31 [e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], 32 [e drejta për mjete juridike] dhe 40 [liria e shprehjes]. Të gjitha nenet janë pjesë e Kushtetutës së Kosovës.

Kushtetuesja tha se çështja në fjalë ngërthen zhvillimin e një procedure penale kundër një pale të tretë dhe se procedurës së ndjekur nga Prokuroria i kishte paraprirë zhvillimi i hetimeve disiplinore ndaj zyrtarit policor.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës, në këtë rast nuk janë shkelur nenet 27, 31, 32 dhe 40, siç pretendon ankuesja, raporton Paparaci.

Gazetarja ndodhej në detyrë zyrtare kur më 28 dhjetor të vitit 2023 ishte penguar në punë nga Bardhyl Rrustemi, njëri prej pjesëtarëve të mbrojtjes së afërt të kryeministrit, gjatë ceremonisë së fillimit të një projekti në Komunën e Fushë Kosovës.

Rasti pati ndodhur në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dhe pamje nga incidenti ishin publikuar atë kohë. Në to shihej pengimi i gazetares nga mbrojtja e afërt e Kurtit, Bardhyl Rrustemi.

Dalloshi – Berisha ishte shtyrë nga dora pasi po përpiqej ta bënte një pyetje për kryeministrin.

Rastin e pengimit në punë të gazetares Dalloshi-Berisha e trajtoi fillimisht Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Në qershor të vitit 2024, IPK-ja paraqiti kallëzim penal kundër policit Rrustemi nën dyshimin se kishte kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Por në korrik të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore e hodhi poshtë kallëzimin penal ndaj zyrtarit policor përmes një aktvendimi për pushimin e hetimeve.

Prokuroria konstatoi se nuk ishin gjetur elemente që vërtetojnë dyshimin e bazuar të kryerjes së veprës penale nga zyrtari Rrustemi.

Prokuroria e Apelit e vërtetoi aktvendimin e Themelores, në një aktvendim të nxjerrë në gusht të vitit 2024.

Në fund të vitit të kaluar, në muajin dhjetor, ajo dorëzoi ankesë në Gjykatën Kushtetuese.