Në vitin 2024, në ujësjellësin publik janë të nxjerra dhe të shkarkuara 306 649 mijë m3 ujë, që është për 4.6% më shumë krahasuar me vitin 2023. Nga sasia totale e nxjerrjes së ujit, shumica e ujit është nga ujërat e burimit, 57.0 %, dhe më pak nga liqenet 1.0%, njoftoi ESHS, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.
Sasia totale e ujit të furnizuar nga ujësjellësi publik në vitin 2024 është 2.6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Sipas strukturës së konsumit të ujit, konsumatorët më të mëdhenj janë ekonomitë familjare, të cilat konsumuan 69.0% të ujit të përgjithshëm të furnizuar nga ujësjellësi publik.
Sasia totale e ujërave të zeza në vitin 2024 është 12.0 % më shumë k krahasuar me vitin 2023.
Nga sasia totale e ujërave të zeza të shkarkuara në vitin 2024, 75.5 % ishin të papastruara, ndërsa 24.5 % ujëra të pastruara.
Kujtojmë se projekti kapital për Shkupin, stacioni i pastrimit të ujërave të zeza në lumin Vardar me vlerë prej 200 milionë eurosh jo vetëm që nuk është gati, por nuk dihet as nëse ndërtimi ka filluar ndërtimi i tij. Procedura për stacionin e pastrimit filloi në dhjetor të vitit 2019 kur në krye të Qytetit të Shkupit ishte Petre Shilegov, ndërsa drejtor i “Ujësjellësit dhe Kanalizimeve” ishte Dusko Veskovski.
Stacioni i pastrimit nuk është përfunduar, ndërsa publiku nuk ka kurrfarë informacioni se deri ku ka arritur procedura. Në prill të vitit 2023, pas dy vitesh zvarritjeje nga ana e udhëheqësisë së Qytetit të Shkupit dhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, u nënshkrua kontrata me kompaninë gjermane “VTE Wassertechnik” dhe kompaninë vendase “Zhikoll”. Kjo u nënshkrua në fshehtësi. Edhe pse bëhet fjalë për një projekt kapital për qytetin me vlerë prej 200 milionë eurosh, as Arsovska dhe as drejtori i atëhershëm i “Ujësjellësit dhe Kanalizimeve”, Dragan Ilievski, nuk mbajtën konferencë për shtyp, e as nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.