Ngërçi në Kuvend, Koci i drejtohet Kurtit: Ngulmimi me Haxhiun është kapriçio personale, po djeg miliona - ndryshoni kandidaturën - Gazeta Express
string(124) "ngerci-ne-kuvend-koci-i-drejtohet-kurtit-ngulmimi-me-haxhiun-eshte-kapricio-personale-po-djeg-miliona-ndryshoni-kandidaturen"

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 10:36

Ngërçi në Kuvend, Koci i drejtohet Kurtit: Ngulmimi me Haxhiun është kapriçio personale, po djeg miliona – ndryshoni kandidaturën

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 10:36

Avokati Arianit Koci, i është drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, duke thënë se ky i fundit e ka mundësinë të zhbllokojë situatën e krijuar në kuvend, lidhur me moskonstituimin e këtij institucioni. Koci ka thënë edhe se insistimi në kandidaturën e Albulena Haxhiut, s’është bindje politike por ‘‘kapriçio personale’’, shkruan Gazeta Express.

Avokati ka thënë edhe se, situata aktuale është bllokim i qëllimshëm institucional.

‘‘Ngulmi me Albulena Haxhiun nuk është më bindje politike, as e drejtë e fituar në zgjedhje. Është kapriçio personale – që po e mban peng Kuvendin e Kosovës, po i ngrin proceset dhe po i djeg milionat e popullit. Paraliza është totale: përfaqësimi politik nuk funksionon, ekonomia është e ngujuar, shteti po mrizon. Ju keni mundësi me e zhblloku këtë situatë. Keni fuqi, keni ndikim. Sepse kjo tashmë nuk është më përballje me kundërshtarët politikë. Është bllokim i qëllimshëm institucional’’, ka shkruar ai.

Tutje, i njëjti ka thënë edhe se qytetari është ai që po i bart pasojat, dhe se i takon Kurtit roli i përbashkuesit.

‘‘Dhe pasojat po bien mbi shtetin. Mbi qytetarin. E populli po sheh. Po kupton. Po mban mend. Në anën tjetër, me fitoren në zgjedhjet e fundit dhe me pozicionin që e keni sot, ju takon juve me e marrë rolin përbashkues. Nuk është më koha për inate personale, as për ngulm në kandidatura që nuk i kanë votat e duhura. Sepse mbi të gjitha – me opozitën nuk jeni në armiqësi. Janë kundërshtarë politikë, por janë deputetë të këtij vendi – me të njëjtin legjitimitet nga qytetarët, si ju. Thellësisht besoj që qëllimin e keni të njëjtë, të gjithë ju – pozitë e opozitë: Ta forconi shtetin dhe t’ua siguroni qytetarëve një jetë më të mirë’’, ka shkruar ai.

Më tej, Koci ka thënë edhe ndërrimi i kandidaturës s’është humbje e betejës politike.

‘‘Prandaj, ndërrimi i kandidaturës – në rastin tuaj – nuk është humbje e betejës politike. Përkundrazi – është fitore. Madje fitore e madhe, sepse po e jepni një zgjidhje kreative, po e shtyni procesin përpara, po e çoni shtetin drejt funksionalitetit. E këtë mund ta bëjë vetëm një burrështetas – dikush që është mbi mentalitetin primitiv të kasabasë sonë politike. Merreni përgjegjësinë që e keni. Ndryshojeni kandidaturën dhe zhbllokojeni Kuvendin. Mos e bëni Kosovën kolateral të kokëfortësisë. Unë, si qytetar i këtij vendi – si njeri që ia don të mirën Kosovës dhe nuk ka atdhe tjetër – nuk do të ndalem. Do të kërkoj përditë dhe pa kompromis, që Kuvendi të funksionalizohet’’, ka përfunduar ai. /GazetaExpress