Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe deklaron se një sërë raportesh të besueshme të inteligjencës sugjerojnë se programi bërthamor i Iranit është dëmtuar rëndë nga sulmet e fundit amerikane dhe do të duhen vite për t’u rindërtuar. “Kjo përfshin informacione të reja nga një burim/metodë historikisht e besueshme dhe e saktë se shumë objekte bërthamore iraniane u shkatërruan dhe do të duhet të rindërtohen në vitet e ardhshme”, – thotë Ratcliffe në deklaratën e tij.
“CIA vazhdon të mbledhë informacione shtesë të besueshme për të informuar plotësisht vendimmarrësit dhe organet mbikëqyrëse përkatëse. Kur të jetë e mundur, ne gjithashtu do t’u ofrojmë përditësime dhe informacione publikut amerikan, duke pasur parasysh rëndësinë kombëtare të kësaj çështjeje dhe në çdo përpjekje për të siguruar transparencë” – thuhet në deklaratën e shefit të CIA-s.
Deklarata vjen një ditë pasi CNN dhe media të tjera raportuan mbi një analizë paraprake nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes të kryer rreth 24 orë pas sulmeve, e cila zbuloi se sulmet e SHBA-së ka të ngjarë të kenë penguar aftësinë e Iranit për të prodhuar një armë bërthamore vetëm me disa muaj.
Shtëpia e Bardhë iu përgjigj vlerësimit duke e quajtur atë “të pasaktë”. Presidenti Donald Trump tha se sulmet “eliminuan”aftësinë e Iranit për të prodhuar një armë bërthamore. Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, shkroi gjithashtu në X të mërkurën se“informacione të reja” mbështesin pikëpamjen se objektet bërthamore të Iranit u “shkatërruan” nga sulmet.
“Informacioni i ri konfirmon atë që Presidenti e ka deklaruar shumë herë: Objektet bërthamore të Iranit u shkatërruan”, thotë Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare në X, por pa dhënë më shumë prova. “Nëse iranianët do të zgjidhnin të rindërtonin, ata do të duhej t’i rindërtonin plotësisht të tre objektet (Natanz, Fordow, Esfahan), gjë që ka të ngjarë të duheshin vite për ta bërë”, – shton Gabbard.