Një krem i njohur kundër diellit mund të mos funksionojë, duke e lënë lëkurën e konsumatorëve të pambrojtur ndaj kancerit të lëkurës, sipas një raporti të ri.
Organizata britanike për mbrojtjen e konsumatorëve Which? testoi 15 produkte kundër diellit nga markat si Boots, Garnier dhe Nivea, si dhe alternativa të tjera më të lira. Rezultatet ishin befasuese.
Ndërsa një produkt që kushton vetëm 2.99 £ nga një supermarket kaloi me sukses testet rigoroze të sigurisë, një tjetër produkt i njohur që kushton 28 £ dështoi të përmbushë standardet e industrisë.
Kjo do të thotë se përdoruesit e këtij kremi mund të mos jenë të mbrojtur siç mendojnë nga rrezet UV të diellit – duke i vënë ata në rrezik të shtuar për zhvillimin e kancerit të lëkurës.
Kremi në fjalë është Ultrasun Family SPF30, një produkt i shitur në shumë dyqane të mëdha dhe që promovohet si “i përsosur për të gjithë familjen”, veçanërisht për fëmijët me lëkurë të ndjeshme.
Por ky krem dështoi në dy teste të ndara që matën faktorin e mbrojtjes nga dielli (SPF) dhe mbrojtjen ndaj rrezeve UV.
Në testin e parë, shkencëtarët aplikuan një sasi të vogël të kremit në shpinën e vullnetarëve dhe më pas i ekspozuan ndaj një lampe që simulonte rrezet e diellit. Më pas matën kohën që i duhej lëkurës për t’u skuqur.
Në testin tjetër, ata përhapën kremin në një pllakë xhami për të matur sasinë e rrezeve UV që absorboheshin.
Që një produkt të kalonte testin, ai duhej të siguronte të paktën një të tretën e nivelit të mbrojtjes SPF të deklaruar.
Nëse produkti nuk arrinte ta kalonte testin në përpjekjen e parë, testi përsëritej. Nëse e kalonte herën e dytë, bëhej një provë e tretë. Por çdo produkt që dështon dy herë në total, klasifikohej si “Mos e Bli”.
Zëdhënësja e Which?, Natalie Hitchins, paralajmëroi se konsumatorët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj produkteve që nuk garantojnë mbrojtjen e premtuar.
“Është shqetësuese që disa kremra të njohur mund të rrezikojnë familjet duke mos ofruar nivelin e deklaruar të mbrojtjes nga dielli,” tha ajo. “Rezultatet tona tregojnë se nuk është e nevojshme të shpenzosh shumë për të qenë i sigurt në diell.”
Kompania Ultrasun u mbrojt duke thënë se është plotësisht e sigurt në metodat e saj të testimit, të cilat, sipas tyre, i tejkalojnë standardet e industrisë.
Ata deklaruan: “Testimet tona të pavarura dhe të shqyrtuara nga ekspertë tregojnë se produkti jonë arrin një SPF real prej 31.4 dhe mbrojtje ndaj UVA prej 13.1, që përkthehet në 92% thithje të rrezeve UVA.”
Një tjetër produkt që përfundoi në listën “Mos e Bli” ishte Morrisons Moisturising Sun Spray SPF30, që kushton 3.75 £. Kompania tha se po shqyrton të dhënat dhe po bashkëpunon me furnitorët për teste të mëtejshme.
Produktet që e kaluan testin përfshijnë:
Lacura Sensitive Sun Lotion SPF50+ nga Aldi – vetëm 2.99 £ (fitues i çmimit “Vlerë e Shkëlqyer” nga Which?)
Cien Sun Spray SPF30 nga Lidl – 3.79 £
Soltan Protect & Moisturise nga Boots – 5.50 £
Nivea Sun Protect and Moisture SPF30 – 7.90 £
Sainsbury’s Sun Protect Moisturising Lotion SPF30 – 5.50 £
Raporti vjen disa ditë pasi Kelsey Parker, 34 vjeç, u përball me kritika të ashpra pasi pranoi se nuk u vendos krem kundër diellit fëmijëve të saj.
Në podcast-in Mum’s The Word, ajo tha:
“Fëmijët e mi nuk digjen dhe unë besoj se kremrat e diellit shkaktojnë kancer.”
Ajo tha se përdor vetëm kremra organikë të përgatitur në shtëpi me dyllë blete.
Dëgjuesit e kritikuan për përhapje të informacionit të rrezikshëm, duke e quajtur deklaratën “të papërgjegjshme dhe të dëmshme”.
Ekspertët mjekësorë thonë se nuk ka asnjë provë që kremrat kundër diellit shkaktojnë kancer.
Dr Bav Shergill, dermatolog në Queen Victoria Hospital në Londër, deklaroi:
“Kremrat janë mënyra më e sigurt dhe më efektive për të mbrojtur lëkurën nga djegiet dhe dëmtimet nga dielli.”
Kremrat përmbajnë filtra mineralë dhe kimikë të UV.
Filtrat mineralë krijojnë një pengesë fizike që reflekton rrezet UV, ndërsa ata kimikë i thithin rrezet dhe i shndërrojnë në nxehtësi.
Megjithatë, disa studime në kafshë kanë sugjeruar se filtrat kimikë në doza shumë të larta mund të ndikojnë në hormonet – por kjo nuk është vërtetuar tek njerëzit.
Shmangia e kremit diellor, ndërkohë, është vërtetuar se rrit rrezikun për kancer të lëkurës. Rreth 15,000 persona në Britani diagnostikohen çdo vit me melanomë – një formë e rrezikshme e kancerit të lëkurës.
Sipas Cancer Research UK, 87% e rasteve të melanomës mund të shmangen, pasi janë të shkaktuara nga ekspozimi ndaj rrezeve UV, nga dielli apo solariumet.
Sipas NHS, njerëzit duhet të përdorin krem diellor me të paktën SPF30 dhe të shmangin diellin nga ora 11:00 deri në 15:00 gjatë muajve mars-nëntor. /GazetaExpress/