Në Ministrinë e Infrastrukturës, 62 zyrtarë nga komuniteti serb nuk kanë shkuar fare në punë gjatë vitit 2024. Sipas raportit të ZKA-së, kjo ka shkaktuar një dëm mbi 465 mijë euro për buxhetin e shtetit. Përveç mungesës së prezencës, raporti evidenton edhe vonesa dhe shkelje në projekte infrastrukturore me vlera milionëshe
MINISTRIA E LIBURN ALIUT VAZHDON T’I PAGUAJË SERBËT PA DALË NË PUNË
Kontratat e punës i kanë ende aktive.
Por 62 zyrtarë nga komuniteti serb, të punësuar në Ministrinë e Infrastrukturës, nuk kanë shkuar fare në punë gjatë vitit 2024.
Si rezultat, dëmi që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit arrin mbi 465 mijë euro.
Kështu është konstatuar nga një raport i Zyra kombëtare e Auditimit për këtë institucion.
Megjithatë, mungesa e punës nuk është problemi i vetëm.
Raporti zbulon edhe vonesa dhe shkelje serioze në shtatë projekte infrastrukturore me vlera milionëshe.
Në Malishevë, ndërtimi i një rruge që nisi në vitin 2019 ka përparuar vetëm 15 për qind për shkak të problemeve me pronësinë e tokave që kanë bllokuar punimet.
Edhe në segmentin Dheu i Bardhë – Bresalc në Komunën e Gjilanit pavarësisht kontratës së nënshkruar që në vitin 2018, janë realizuar vetëm 89 për qind e punimeve.
Në vende të tjera si Banulla e Lipjanit, punimet janë bllokuar dhe afatet janë shtyrë disa herë, ndërsa janë nënshkruar edhe aneks-kontrata të reja për zgjatjen e punimeve.
Një problem i rëndësishëm që përmendet në raport janë edhe vonesat në pagesën e shpronësimeve.
Në katër raste të testuara, me vlerë mbi 1 milion euro, kompensimet janë bërë me vonesa nga 11 muaj deri në 13 vjet.
Ligji parashikon që për çdo vonesë duhet paguar edhe interes ligjor prej 7 për qind në vit.
Përkundër kësaj, ministria, përveç rasteve të detyruara me vendime gjyqësore, nuk ka paguar kurrë këtë interes.
Gjithashtu, ministria ka tejkaluar pagesat në disa kontrata duke aplikuar tavanin plus-minus prej 30 për qind në pozicione, gjë që nuk lejohet.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, këto shkelje kanë ndodhur për shkak të mosfunksionimit të duhur të kontrolleve nga menaxherët e kontratave gjatë realizimit të tyre.
Ministria e Infrastrukturës është pajtuar me këto gjetje dhe ka premtuar masa për përmirësim të menaxhimit dhe kontrollit në të ardhmen.