NATO miraton vendimin: Çdo shtet do të shpenzojë 5% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035 - Gazeta Express
string(92) "nato-miraton-vendimin-cdo-shtet-do-te-shpenzoje-5-te-pbb-se-per-mbrojtjen-deri-ne-vitin-2035"

Shqiperi

Gazeta Express

25/06/2025 15:00

NATO miraton vendimin: Çdo shtet do të shpenzojë 5% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035

Shqiperi

Gazeta Express

25/06/2025 15:00

Krerët e 32 vendeve anëtare të NATO-s kanë rënë dakord për një objektiv të ri ambicioz: secili vend të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Marrëveshja parashikon që 3.5% e kësaj kuote të shkojë për investime ushtarake dhe 1.5% për sigurinë e brendshme, me synimin për të përballuar kërcënimet e mundshme që vijnë kryesisht nga agresioni rus në Ukrainë.

Në samitin e mbajtur në Hagë, ku mori pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u theksua nevoja për një reagim të bashkërenduar ndaj sfidave të reja të sigurisë në Evropë dhe më gjerë. Debatet u dominuan gjithashtu nga situata në Lindjen e Mesme, pas përfundimit të konfliktit të armatosur 12-ditor mes Iranit dhe Izraelit.

Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, foli për sulmin e fundit ajror amerikan ndaj centralit nëntokësor të Fordoë në Iran, duke e krahasuar me sulmet bërthamore në Japoni gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Mendoj në mënyrë thelbësore se është kthyer pas me dekada në këtë drejtim pasi besoj se nuk do e bëjnë më”, deklaroi Trump, duke iu referuar kapaciteteve bërthamore të Iranit.

I pyetur mbi raportin e shërbimeve të inteligjencës amerikane, presidenti shtoi: “Raporti i shërbimeve të zbulimit është i papërfunduar. Raporti thotë se nuk dihet nëse shkatërrimet ishin shumë të rënda dhe kjo është korrekte”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dha mbështetje për qëndrimin amerikan, duke theksuar: “Gjëja kryesore është që ia hoqët kapacitetin bërthamor Iranit”.

Trump zbuloi gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin i kishte ofruar ndihmë për zgjidhjen e konfliktit iraniano-izraelit, por ai refuzoi: “I thashë ‘Jo, për Iranin nuk kam nevojë për ndihmë, por Rusinë’”.

Sakaq, media të mëdha amerikane si CNN dhe New York Times raportuan se bombardimet amerikane mund t’i kenë shtyrë me disa muaj përparimet iraniane në programin bërthamor, por nuk kanë arritur ta shkatërrojnë plotësisht. Këto raportime ngjallën reagimin e menjëhershëm të Trump, i cili në rrjetin e tij social Truth akuzoi CNN për “lajme të rreme” dhe New York Times si “media dështake”.

Përmasat reale të dëmeve në centralin bërthamor të Iranit mbeten të paqarta, pasi autoritetet iraniane nuk kanë dhënë asnjë informacion publik deri më tani. Ndërkohë, NATO përgatitet për një epokë të re të mbrojtjes kolektive, në një kontekst global gjithnjë e më të tensionuar.