Presidenti amerikan Donald Trump bëri një krahasim të mërkurën mes sulmeve të tij ndaj Iranit gjatë fundjavës dhe përdorimit të bombave bërthamore nga SHBA në Japoni, duke thënë se të dyja u përdorën për t’i përfunduar me sukses luftërat, raporton CNN.
“Nuk dua ta përdor si shembull Hiroshimën. Nuk dua ta përdor si shembull Nagasakin, por kjo ishte në thelb e njëjta gjë që e përfundoi atë luftë”, tha Trump në një samit të NATO-s në Holandë.
“Kjo e përfundoi atë bashkë me luftën. Nëse nuk do ta kishim eliminuar atë, ata do të ishin duke luftuar tani”, vazhdoi ai.
Këto komente erdhën teksa Trump përpiqej të theksonte rëndësinë e sulmeve të tij, të cilat ai tha se e kthyen mbrapa për dekada programin bërthamor të Iranit.
“Nuk besoj se do ta bëjnë ndonjëherë sërish”, tha Trump për ambiciet bërthamore të Iranit. “Ata sapo kaluan ferrin. Mendoj se e kanë pësuar. Gjëja e fundit që duan ta bëjnë është pasurimi”.
Ai tha se është në pritje të një raporti nga Izraeli mbi vlerësimet e dëmeve nga Irani, për të cilat ai tha se do të provonin saktësinë e pretendimeve të tij për “shkatërrim total”.