Numër rekord turistësh në vetëm një muaj
Në majin e vitit 2025, Shqipëria ka përjetuar një fluks të lartë vizitorësh, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), përcjell albinfo.ch.
Gjatë këtij muaji, në vend kanë hyrë mbi 1,6 milion shtetas shqiptarë dhe të huaj që shënon një rritje prej 4,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Vetëm turistët e huaj kanë qenë mbi 987 mijë, që përfaqëson një rritje prej 1,4 për qind krahasuar me majin e vitit të kaluar. Ndër ta, 95 për qind kanë qenë shtetas nga vendet e Europës, konkretisht 72 për qind nga Europa Jugore dhe 14 për qind nga Europa Perëndimore.
Qëllimi kryesor i vizitave ka qenë turizmi. Hyrjet për pushime përbëjnë 98 për qind të rasteve, me një rritje prej 0,9 për qind krahasuar me majin e vitit 2024.
Gjithashtu, gjatë periudhës janar–maj 2025, Shqipërinë e kanë vizituar gjithsej 3,4 milionë turistë të huaj – 3,9 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pritshmëritë e turoperatorëve mbeten të larta, veçanërisht për muajt e verës, kur Shqipëria zakonisht regjistron flukset më të mëdha turistike.