ASH: Ligj i VLEN-it – Draft i Tanjës! Përfaqësimi i drejtë, i dorëzuar me krenari në duart e diskriminimit - Gazeta Express
string(101) "ash-ligj-i-vlen-it-draft-i-tanjes-perfaqesimi-i-drejte-i-dorezuar-me-krenari-ne-duart-e-diskriminimit"

Maqedoni

Gazeta Express

25/06/2025 11:50

ASH: Ligj i VLEN-it – Draft i Tanjës! Përfaqësimi i drejtë, i dorëzuar me krenari në duart e diskriminimit

Maqedoni

Gazeta Express

25/06/2025 11:50

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje në seancë qeveritare Propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një tekst që jo vetëm nuk garanton barazi, por e rrëshqet përfaqësimin e shqiptarëve në terrenin e përjashtimit të heshtur institucional.

Që në fillimet e këtij procesi, Aleanca për Shqiptarët ka paralajmëruar me këmbëngulje se ky ligj përmban kurthe të rrezikshme, të fshehura pas një gjuhe burokratike dhe standardesh universale që nuk i përgjigjen realitetit diskriminues të administratës shtetërore. Kemi theksuar në vazhdimësi se çdo ligj që nuk garanton matje proporcionale, nuk parashikon sanksione, dhe nuk e trajton përkatësinë etnike si kategori e domosdoshme për politika publike, është një ligj për dekor e jo për drejtësi.

Fatkeqësisht, ajo që paralajmëruam sot po bëhet realitet: përfaqësues të VLEN-it jo vetëm që nuk e kundërshtuan këtë produkt politikisht të dëmshëm, por po krakosen me krenari për një ligj të hartuar nga Tanja Karakamisheva-Jovanovska – figurë e njohur për përpjekjet e saj sistematike për të relativizuar Marrëveshjen e Ohrit dhe për ta zhveshur përfaqësimin etnik nga çdo garanci konkrete.

Në vend që të garantojë barazi reale, ky ligj e trajton deklarimin e përkatësisë etnike si një element “vullnetar”, gjë që pamundëson ndërtimin e çdo mekanizmi të detyrueshëm për përfaqësim proporcional. Nuk ka as kalkulim të bazuar në të dhënat e regjistrimit, as sistem të matshëm të përfshirjes. Vetëm fjalë si “meritë” dhe “kompetencë”, që në kontekstin tonë burokratik dhe të politizuar, përdoren si mjete për përjashtim të heshtur.

Balancuesi, mekanizmi i vetëm që deri tani ka ofruar mundësinë për monitorim statistik, hiqet pa asnjë zëvendësim funksional. Në vend të tij, ligji propozon një “Trup Koordinues”, pa kompetenca ekzekutive dhe pa të drejtë sanksioni – një strukturë formale që nuk mund të bëjë asgjë përveç raportimit të zbrazët. Po ashtu, në asnjë dispozitë të këtij ligji nuk parashihen masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin. Në mungesë të sanksioneve, ky ligj është një dokument i pafuqishëm, pa dhëmbë, dhe i krijuar për të mos pasur ndikim.

Për më tepër, në këtë tekst nuk bëhet asnjë referencë ndaj Kushtetutës apo Marrëveshjes së Ohrit, duke e ndarë qëllimisht ligjin nga themelet e tij legjitime dhe historike. Ky nuk është ligj i përfaqësimit të drejtë – është legalizim i diskriminimit përmes gjuhe administrative.

Ajo që e bën këtë situatë edhe më të rëndë është sjellja e përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, të cilët në vend se të mbrojnë interesin e qytetarëve që i përfaqësojnë, sot shfaqin entuziazëm për një ligj që ua ka hartuar një autore e diskredituar politikisht dhe ideologjikisht. Për të njëjtin ligj që Aleanca për Shqiptarët e ka denoncuar prej muajsh si të rrezikshëm, përfaqësuesit e VLEN-it sot japin deklarata krenarie dhe e shesin si arritje!

Aleanca për Shqiptarët rithekson që ky ligj është rezultat i një procesi të mbyllur, jo-gjithëpërfshirës, dhe të njëanshëm. Është dëshmi e qartë e asaj çfarë ndodh kur përfaqësimi politik shqiptar reduktohet në dekor qeveritar dhe hesht përballë vendimeve që dëmtojnë interesin e qytetarëve shqiptarë.

Prandaj, kërkojmë urgjentisht që Kuvendi të ndalojë avancimin e këtij projektligji dhe të iniciohet një proces i ri, transparent dhe gjithëpërfshirës, ku përfaqësuesit shqiptarë, ekspertët e komunitetit dhe institucionet relevante të kenë rol të drejtpërdrejtë dhe vendimtar në hartimin e një ligji të drejtë, të zbatueshëm dhe me garanci reale.

Ky nuk është moment për heshtje dhe aq më tepër për vetëknaqësi të përfaqësueve jolegjitim të VLEN-it – është moment për rezistencë politike me të gjitha mekanizmat demokratike, thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.