Nga samiti i NATO-s në Hagë, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë edhe një deklaratë të fortë, duke krahasuar sulmet ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iran me hedhjen e bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ata shpenzuan triliona dollarë duke u përpjekur ta bënin këtë gjë, dhe nuk ia dolën. Dhe ne në fakt e kemi një marrëdhënie të mirë me ta tani,” u shpreh Trump.
Ai vazhdoi tutje duke bërë krahasimin.
“Por nëse nuk do të kishim pasur sukses me atë goditje? Ajo goditje e përfundoi luftën. Nuk dua të përdor shembullin e Hiroshimës, nuk dua të përdor shembullin e Nagasakit, por në thelb ishte e njëjta gjë që i dha fund asaj lufte. Kjo i dha fund kësaj. Nëse nuk do ta kishim hequr qafe atë, ata do të ishin ende duke luftuar tani,” tha Trump.
Kjo deklaratë e presidentit amerikan vjen pas goditjeve të drejtpërdrejta të SHBA-së, ndaj objekteve bërthamore në Iran, për të cilat presidenti pretendon se e kanë shtyrë përpara edhe mundësinë e një marrëveshjeje në Gaza dhe kanë shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm rajonal.
Kujtojmë se më 6 dhe 9 gusht 1945, në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara hodhën dy bomba atomike në qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki. Në sulmin në Hiroshima mbetën të vrarë rreth 80,000 persona, ndërsa mijëra të tjerë vdiqën në muajt e vitet në vazhdim për shkak të rrezatimit. Kurse, në sulmin e dytë në Nagasaki, vdekje të menjëhershme gjetën 40,000 persona dhe pati pasoja afatgjata shkatërruese.
Këto sulme ishin të parat dhe të vetme bërthamore në historinë e njerëzimin, dhe shënuan fundin e luftës në Paqësor, me dorëzimin e Japonisë më 15 gusht 1945.