Tridhjetegjashtë “përpjekje” për konstituimin e Kuvendit kanë dështuar.
Seanca do të vazhdojë sot në orën 11:00 dhe nuk pritet ndonjë ndryshim në “skenar”.
Lëvizja Vetëvendosje po e hedh në votim çdo dy ditë – ashtu siç pritet të bëjë edhe sot – një propozim për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili nuk po i merr votat e nevojshme.
Kjo lëvizje e partisë e cila e ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, erdhi pasi Albulena Haxhiu, kandidatja e tyre për kryeparlamentare, dështoi në mënyrë të përsëritur që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
Partitë tjera shqiptare argumentojnë se është shkelje ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, ndërsa kjo po shtyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
LVV-ja, e cila fillimisht kërkonte “marrëveshje politike” për të dalë nga situata, e ka bërë të qartë se nuk do ta ndërrojë emrin e kandidates për kryeparlamentare.
Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të votonin këdo nga 40 deputetët e tjerë të LVV-së, të cilët nuk kanë pasur poste qeveritare. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përmendur Shqipe Mehmeti Selimin dhe Saranda Bogujevcin si dy emra nga partia e parë që do t’i votonin për kryeparlamentare.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do ta votojë anjë propozim për kryetar të Kuvendit nga LVV-ja dhe se ajo ka përgjegjësinë ta gjejë një marrëveshje me ndonjë parti tjetër. Partia më e vjetër në vend ka propozuar një qeveri të unitetit, me përbërjen e të gjitha partive parlamentare, si një mënyrë për të dalë nga ngërçi politik.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, negocion herë pas here me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti për një marrëveshje politike – ende pa rezultat – me kërkesa konkrete: pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.