Tenderi për hartimin e elaboratit mbi vlerësimin e gjendjes së konstruksionit të stacionit hekurudhor në Novi Sad është anuluar, pasi asnjë kompani nuk ka dorëzuar ofertë. Ky është vetëm një nga disa përpjekje të pasuksesshme që autoritetet kanë bërë për të gjetur një subjekt që do të kryejë këtë punë thelbësore, pas rrëzimit tragjik të mbulesës së stacionit që mori jetën e 16 personave.
Tenderin e kishte shpallur kompania shtetërore “Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë”, me një vlerë të parashikuar prej 30 milionë dinarësh. Megjithatë, vendimi i fundit i publikuar më 23 qershor konfirmon se nuk është pranuar asnjë ofertë – as nga sektori publik, e as nga ai privat.
Ky është tregues i qartë i mungesës së besimit që kompanitë duket se kanë ndaj pushtetit dhe institucioneve të tij, veçanërisht pas tragjedisë së ndodhur. Mosgatishmëria për të marrë pjesë në tenderin e hapur vjen pas disa procedurave të dështuara dhe një historie me probleme të mëparshme me këtë projekt.
Fillimisht, kontrata për hartimin e elaboratit ishte nënshkruar me Fakultetin e Shkencave Teknike në Novi Sad dhe Institutin për Testimin e Materialeve nga Beogradi – përmes një procedure të negociuar, pa shpallje publike. Megjithatë, kontrata u anulua më 17 maj, sepse kompanitë kontraktuese nuk patën qasje në objektin që duhej të inspektonin – një detaj që flet për kaosin dhe mungesën e organizimit institucional.
Që nga nëntori i kaluar, “Infrastruktura” ka tentuar disa herë të sigurojë një kompani për këtë punë. Në përpjekjen e parë, iu drejtua drejtpërdrejt kompanive Mašinoprojekt Kopring a.d. dhe FTN-së në Novi Sad, por asnjëra nuk dha ofertë.
Pasi edhe tentativa e janarit dështoi, autoritetet vendosën të shpallin një tender të hapur, për të inkurajuar më shumë konkurrencë dhe transparencë. Por reagimi i sektorit të ndërtimit dhe inxhinierisë ka qenë i qartë: nuk ka më interes për bashkëpunim në projekte ku pushteti nuk ofron as siguri institucionale, as kushte pune të qarta.
Pasojat e tragjedisë në stacionin hekurudhor në Novi Sad nuk janë vetëm njerëzore. Ngjarja ka lënë një njollë të errët mbi besueshmërinë e institucioneve publike dhe mbi mënyrën se si menaxhohen projektet publike në Serbi. Refuzimi i kompanive për të marrë pjesë në tender është një sinjal i fortë se sektori privat po i kthen shpinën pushtetit – jo për shkak të mungesës së interesit për punë, por për shkak të mungesës së besimit. /Forbes