Deputetët do të mblidhen sërish sot në një përpjekje të re, të 35’ën me radhë, për ta konstituar Kuvendin. Procesi ka ngecur tek zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. VV ka propozuar për këtë pozitë Albulena Haxhiun, që nga partitë tjera po konsiderohet figurë përçarëse.
Pas disa dështimesh për zgjedhjen e saj, tash e disa javë po mundohet ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e saj, në të fshehtë. Partitë tjera janë kundër.
PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë.
Sa herë që ky Komision hidhet në votim, dështon kalimi në mungesë kuorumi.
“Me 53 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje”, ishte rezultati i seancës së fundit.
Edhe nesër pritet situatë e njëjtë. Seanca do të nis në orën 11:00.
Nënkryetarja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë sonte se janë lodhur duke ia lëshuar rrugën kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Bajrami ka thënë se Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po sillen me logjikën e votave që kanë marrë në zgjedhjet e 2021’ës.
“Jemi lodhur duke ia lëshuar rrugën Albin Kurtit dhe ai duke u bërë shkelës i vazhdueshëm i Kushtetutës dhe ligjeve dhe përdhosës i institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami tha se po të ishte LDK në pozitën e VV’së, deri tani institucionet do të konstituoheshin.
“Ata paradite shajnë dhe ofendojnë…pasdite dërgojnë letra për bashkëpunim”, shtoi Bajrami.