Ndërsa garon në Kupën e Botës për Klube në tokën amerikane, Chelsea ka nisur një pastrim të thellë brenda klubit në përgatitje për afatin kalimtar veror.
Klubi londinez, i zhgënjyer me performancën e fundit, ka identifikuar plot dhjetë lojtarë që mund të largohen, përfshirë emra të bujshëm si Christopher Nkunku, Nicolas Jackson, Noni Madueke dhe Raheem Sterling.
Lista e largimeve përfshin gjithashtu Ben Chilwell, Axel Disasi, Renato Veiga, Carney Chukwuemeka, Kepa Arrizabalaga dhe Armando Broja – lojtarë që nuk kanë bindur stafin teknik dhe që largimi i tyre do t’i lehtësonte klubit barrën financiare, duke hapur rrugën për afrime të reja.
Në rastin e Nkunku, Chelsea synon të përfitojë rreth 76 milionë euro, nëse ndonjë klub vendos të veprojë konkretisht për ta transferuar.
Synimet në treg
Paralelisht me largimet, Chelsea është aktiv edhe në merkato. Pas sigurimit të Liam Delap, objektivi i radhës është Jamie Bynoe-Gittens, me të cilin tashmë është arritur marrëveshja personale, megjithëse Borussia Dortmund ka refuzuar një ofertë fillestare prej 50 milionë eurosh.
Në vëzhgim janë gjithashtu Malick Fofana dhe Alejandro Garnacho – për të cilin mund të ndërtohet një marrëveshje e kombinuar me Manchester United, që përfshin edhe largimin e Nkunku.
Kërkimi për një sulmues lider dhe portier të ri
Chelsea po kërkon me ngulm një sulmues të gjithanshëm. Në listë janë emrat e Hugo Ekitike, Mohammed Kudus dhe João Pedro, ndërsa transferimi i Randal Kolo Muani duket më i vështirë për momentin.
Sa i përket portës, pas refuzimit të Milanit për të shitur Mike Maignan, operacioni për një gardian të ri është pezulluar përkohësisht.
Pas një sezoni të pasigurt, Chelsea është duke planifikuar një ristrukturim të thellë, me synim rikthimin e lavdisë në arenën europiane.
Sunny Hill Festival po afron dhe banka ProCredit, si sponsor gjeneral i festivalit, të sjell më afër skenës magjike...