Lionel Messi ka zbuluar se ekzistonte një klub nga Premier League që Barcelona e “urreu” më shumë se vetë Real Madridin – dhe bëhet fjalë për Chelsean. Ndërkohë, ai është përfolur së fundmi për një transferim të mundshëm te rivalët e tyre londinezë, Arsenali.
Pas një karriere legjendare me Barcelonën, Messi u transferua te Paris Saint-Germain në një transferim të bujshëm si lojtar i lirë, për ta përfunduar më pas aventurën evropiane në MLS, me Inter Miami, ku ka kontratë deri në fund të vitit 2025.
Së fundmi, moderatori i talkSPORT, Andy Goldstein, ka deklaruar se Messi do të ishte zgjidhja ideale për problemet sulmuese të Arsenalit dhe është i bindur se një lëvizje drejt “Topçinjve” do të kishte kuptim. Nëse ndodh kjo, atëherë Messi do të rigjallëronte rivalitetin me Chelsean, kundër të cilës ka luajtur disa herë në përballje ikonike në Ligën e Kampionëve.
Një nga ndeshjet më të paharrueshme ishte ajo në vitin 2005, ku Chelsea e Frank Lampard dhe John Terry përmbysi Barcelonën e Frank Rijkaard me rezultat 4-2 dhe u kualifikua në çerekfinale pas fitores me rezultat të përgjithshëm 5-4.
Një vit më vonë, dy ekipet u përballën sërish, dhe Messi zbuloi se disa lojtarë të Barçës kishin më shumë urrejtje për Chelsean sesa për Real Madridin:
“Ka lojtarë këtu që e urrejnë Chelsean më shumë se Real Madridin. Nuk e mendoja se do e dëgjoja ndonjëherë veten duke e thënë këtë,” tha ai për Neës of the Ëorld, përmes Sky Sports.
“As që e mendoja se do shihja ndonjëherë diçka më të ashpër sesa rivaliteti Boca-River apo Brazili kundër Argjentinës. Por kjo i kalon të gjitha.
Do të preferonim të luanim kundër Arsenalit, Manchester United apo kujtdo tjetër, sesa të dilnim në fushë përballë Chelseas.”
Barcelona mori hak në ndeshjen e kthimit, ku Messi shkëlqeu dhe katalanasit përmbysën rezultatin me një fitore 2-1, duke vazhduar rrugëtimin që kulmoi me fitoren e Ligës së Kampionëve në finale ndaj Arsenalit – një ndeshje që Messi e humbi për shkak të një dëmtimi të pësuar në Stamford Bridge.
Për momentin, e ardhmja e Messit mbetet në MLS, por diskutimet rreth një transferimi potencial në Premier League – dhe veçanërisht te Arsenali – kanë rikthyer në vëmendje një nga rivalitetet më të tensionuara të epokës moderne në Ligën e Kampionëve: Barcelona vs Chelsea.
Sunny Hill Festival po afron dhe banka ProCredit, si sponsor gjeneral i festivalit, të sjell më afër skenës magjike...