Punëtorët e sigurimit largohen nga QKUK, Osmani: Policia merr përsipër sigurimin - Gazeta Express
string(78) "punetoret-e-sigurimit-largohen-nga-qkuk-osmani-policia-merr-persiper-sigurimin"

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 12:23

Punëtorët e sigurimit largohen nga QKUK, Osmani: Policia merr përsipër sigurimin

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 12:23

Rreth 260 punëtorë të sigurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë mbetur pa kontrata pune, gjë që ka bërë që ambientet e QKUK-së të mbesin pa sigurim fizik nga sot.

Si reagim ndaj kësaj situate, punëtorët kanë depërtuar në ambientet e administratës së QKUK-së në Prishtinë.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, theksoi se i është thënë se kjo situatë është krijuar për shkak të vonesave burokratike dhe se po punohet për një zgjidhje të përkohshme.

“Ne si sindikatë kemi ardhur dhe kemi folur me drejtorin. Sipas diskutimeve me të, kjo periudhë pritet të zgjasë 3 deri në 4 ditë. Ne nuk kemi dashur të kryejmë shërbime pa kontrata dhe pa pagesa, prandaj kemi ndërprerë punën”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka shtuar se drejtori i QKUK-së Osman Hajdari ka dalë para punëtorëve dhe ka premtuar se do të bëhet përpjekje që ata të përfshihen në sistemin e pagesave edhe për këto ditë pa kontratë, megjithatë kjo nuk është e garantuar.

“Kjo ka ndodhur për shkak të disa procedurave të brendshme burokratike, por drejtori është zotuar se brenda 3-4 ditëve secili do të kthehet në vendin e punës”, tha Azemi.

E drejtori i përkohshëm Osman Hajdari refuzoi të diskutojë me ta në prani të mediave.

Ai deklaroi se Policia e Kosovës do të mbulojë sigurinë fizike deri në përfundimin e procedurave për kontratën e re.

“Nuk bën me manipulu ju si media dhe askush. Ne si QKUK kemi pasur një kontratë të negociuar për punëtorët fizik të sigurimit. OSHP, mbas dy muajve, ka sjellë një vendim që kërkon nga QKUK me ndërpre kontratën. Si drejtor, natyrisht që jemi të obliguar të zbatojmë vendimin e OShP dhe i kam dhënë afat kompanisë deri më 21 qershor. Gjatë kësaj periudhe ka bërë ankesë te gjykata komerciale, gjykata ka kërkuar prej neve me vendos masa të përkohshme dhe me padinë që ka ngritur nga kompania. Deri tani nuk kam asnjë vendim nga gjykata. Gjatë kësaj kohe kemi bërë një kontratë tjetër. Kam kërkuar nga Policia që deri në një kontratë të re të qëndrojnë. Prej sot edhe në formë fizike policia ka me vendos pikat kyçe si e sheh me mbuluar. Ajo çka unë si menaxhment është që QKUK ka siguri fizike prej Policisë së Kosovës, pra nuk jemi pa sigurim fizik. Prej momentit ku nuk ka kontratë për një kompani, as unë si drejtor nuk kam të drejtë të kërkojë të qëndrojnë në QKUK. Janë vendosur Policia e Kosovës. Kontrata e re e negociuar është duke u proceduar, nesër ne kemi një kontratë të nënshkruar me një operator. Deri në momentin kur finalizohet kontrata e re, Policia e Kosovës do të sigurojë siguri në QKUK,” deklaroi Osmani.

Ndërkohë, kryetari i sindikatës në QKUK, Hakif Sylejmani, shprehu shqetësimin për punëtorët që kanë qenë të pambrojtur dhe pa uniforma.

“Të gjithë punëtorët i kam pasur të rrezikuar nëpër pika. Ne pa kontratë nuk mund të jemi në punë, të na ofrojnë një garanci që me këta punëtorë të vazhdojë të punoj. QKUK është institucion i lartë, kurse punëtorët janë pa uniformë. Kjo është e çuditshme,” theksoi Sylejmani.