Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike bilancin e fundit të situatës së zjarreve në vend, duke raportuar 20 vatra të regjistruara deri më datë 23 qershor, ora 21:00. Nga këto, 17 janë shuar plotësisht, ndërsa vijon ndërhyrja për fikjen e tre vatrave ende aktive në bashkitë Himarë, Kukës dhe Mirditë.
Falë angazhimit të forcave operacionale në terren, janë neutralizuar vatrat në zona të ndryshme të vendit, përfshirë lagjen “Mulliri i Artë” në Delvinë, fshatin Alarup në Pogradec, rrugën e Elbasanit dhe zonën e Shkozës në Tiranë, fshatin Rilë në Lezhë, fshatin Malaj në Mirditë, fshatin Vanë në Delvinë, lagjen “Xile Lici” në Gramsh, fshatin Kotë në Selenicë, fshatin Dukas në Patos, Shëngjin në Lezhë, fshatin Visokë në Mallakastër, lagjen “Çlirim” në Berat, Ksamil në Sarandë, fshatin Mërqi në Lezhë, dhe kryqëzimin e Rilës në aksin Lezhë–Laç.
Aktualisht, situata paraqitet më e ndërlikuar në zonën e Himarës, ku flakët janë përhapur në tri drejtime. Në zonën e Porto Palermos zjarri është shuar, ndërsa në Qafë Lerë – Llaman ka disa vatra të vogla me intensitet të ulët, të cilat janë nën kontroll dhe nuk paraqesin rrezik për përhapje. Më problematike është situata në fshatin Kudhës, ku një vatër me intensitet më të lartë vazhdon të digjet, megjithatë pa rrezik për banesat. Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse nga Himara, Vlora, Delvina, Finiqi dhe Saranda.
Në Kukës, flakët kanë përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në fshatin Kolsh, njësia Mamëz. Në terren po punojnë dy mjete zjarrfikëse me 10 efektivë, si dhe mjete të rënda të ofruara nga bashkia, përfshirë një fadromë, një ekskavator dhe katër kamionë.
Në Mirditë, në fshatin Ndërfan të njësisë Rrëshen, një vatër zjarri ka përfshirë një pyll të ri dhe shkurre të dendura. Terreni i vështirë e bën ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse të komplikuar. Në vendngjarje janë angazhuar dy mjete zjarrfikëse me 6 efektivë, si dhe forca nga shërbimi pyjor, bashkia dhe vullnetarë të zonës.
Sunny Hill Festival po afron dhe banka ProCredit, si sponsor gjeneral i festivalit, të sjell më afër skenës magjike...