Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka deklaruar nëse Gjykata Kushtetuese jep qëndrimin pro votimit të fshehtë për konstituim të Kuvendit, partia e tij do t’i publikojë votat.
Ai ka thënë të hënën në KTV se LDK-ja s’do të pranojë që nëpërmjet deputetëve të tyre, Lëvizja Vetëvendosje të fshihet për marrëveshjet e bëra me Listën Serbe.
“Nëse Gjykata Kushtetuese thotë se mund të shkojmë me votim të fshehtë, ne do të votojmë, por ashtu siç ka deklaruar kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Vota për kryetar të Kuvendit do të jetë publike para mediave, pasi s’do të pranojmë që të fshihen pas deputetëve të LDK-ë për marrëveshjet që Vetëvendosje i ka bërë me partitë e tjera”, ka thënë Guri.
Sipas tij, ky lloj publikimi i votës nuk është shkelje e ligjit, teksa tha se një gjë të tillë e kanë bërë edhe në vitin 2021 kur është zgjedhur presidentja Vjosa Osmani.
“…LDK-ja i ka bërë publike votat edhe në 2021-n, por i kanë konvenuar atëherë Vetëvendosjes votat e LDK-së, e tash kur s’i konvenon thonë se është shkelje. Ky është keqkuptim pasi disa deputetë të VV-së po i referohen ligjit për fotografim të votës, që ka të bëjë me fotografimin e votës në kutinë e votimit…Ai ligj s’e parasheh publikimin e votës, pasi deputetët s’i nënshtrohen asnjë lloj detyrimi për votën e tyre”, ka thënë ai.
Guri ka shtuar se do ta publikojë votën e tij nëse do të bëhet nëpërmjet votimit të fshehtë, “pasi s’do të ndihesha i qetë që parti në pushtet të fshihet dhe të krijojë hipoteza nëse kanë arritur marrëveshje”.
Ai foli për dakordimet e Lëvizjes Vetëvendosje me deputetët e Listës Serbe, që siç tha ai, kanë dalë në seancën e parë konstitutive nëpërmjet bisedave mes dy partive.
“Në asnjë mënyrë nuk do ta pranoja që pas votës sime t’i fsheh marrëveshjet që i kanë bërë me Listën Serbe…S’do t’i fotografojmë votat në kuptimin klasik dhe t’ia dëshmojmë dikujt se s’kemi votuar, por ne jemi në sallën e Kuvendit dhe fletën e votimit për kandidatin do ta plotësojmë në bankën ku jemi aty. S’është fotografim klasik, nëse duan mediat ta shohin do të jemi transparent”, ka thënë Guri.
Sunny Hill Festival po afron dhe banka ProCredit, si sponsor gjeneral i festivalit, të sjell më afër skenës magjike...