Frikësimi nga lart, thirrja nga poshtë – studentët sfidojnë propagandën e pushtetit serb - Gazeta Express
string(85) "frikesimi-nga-lart-thirrja-nga-poshte-studentet-sfidojne-propaganden-e-pushtetit-serb"

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 6:49

Frikësimi nga lart, thirrja nga poshtë – studentët sfidojnë propagandën e pushtetit serb

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 6:49

Studentët serbë po përgatiten për një tjetër protestë të madhe, të paralajmëruar për të shtunën, më 28 qershor – në ditën e Vidovdanit, një datë simbolike për historinë serbe. Organizatorët e protestës, shumica prej tyre nga universitetet publike në Beograd, thonë se do të dalin sërish në rrugë për të kërkuar ndryshime demokratike dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në anën tjetër, regjimi i presidentit Aleksandar Vuçiq po përdor retorikën e njohur të frikësimit, duke paralajmëruar “akte dhune” nga ana e protestuesve, një skenar që sipas vëzhguesve ngjan shumë me atë të 15 marsit. Atëherë, një protestë masive dhe paqësore, në të cilën morën pjesë qindra mijëra qytetarë, u shpërnda me dhunë, ndërsa protestuesit pohuan se ndaj tyre u përdor armë sonike – një akuzë që autoritetet e mohojnë.

Presidenti Vuçiq, disa ditë para protestës së marsit, deklaronte se protestuesit synonin të pushtonin ndërtesat kryesore shtetërore si Kuvendin, RTS-in (televizionin shtetëror) dhe Gjykatën Kushtetuese. Por asgjë e tillë nuk ndodhi. Studentët protestuan në paqe dhe simbolikisht hodhën jelekët e bardhë për të treguar mbylljen e protestës.

“Pse vazhdojnë të na akuzojnë për dhunë që nuk e kemi bërë kurrë? Sepse është më e lehtë t’i quash protestuesit të rrezikshëm sesa të pranosh fajin për shtypjen e zërit të popullit,” tha një student i Fakultetit Filozofik në një deklaratë për mediat.

Marija Dimitrijeviq, studente në shkollën e lartë për ekonominë dhe administratën publike (VIŠER), u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë: “Vidovdani është ditë kujtese, por edhe ditë vendimesh. I bëjmë thirrje gjithë qytetarëve që më 28 qershor të dalin në rrugë dhe të tregojnë se nuk jemi pakicë.”

Nga ana tjetër, zyrtarët e pushtetit, përfshirë presidentin dhe ministrin Ivica Daciq, paralajmërojnë masa të rrepta ndaj çdo “tentative për destabilizim”.

Vuçiq deklaroi: “Ata nuk do të ndalen te parku Pionirski, por do të sulmojnë ndërtesat shtetërore, policinë. Dhe e dimë pse – sepse duan kaos.”

Ekspertët politikë, si Zoran Panoviq nga Demostat, shpjegojnë se këto deklarata janë pjesë e një strategjie psikologjike për të frikësuar qytetarët dhe për të ulur pjesëmarrjen në protesta.

“Paralajmërimet për dhunë janë një metodë klasike e frikësimit. Qëllimi është të shmanget një përsëritje e numrave të mëdhenj nga protesta e marsit,” tha Panoviq.

Ndërkohë, studentët po bëjnë përgatitjet e fundit. Ata kanë kërkuar që qytetarët të sjellin copa pëlhure në ngjyrat e flamurit serb – kuq, bardhë dhe kaltër – si simbol i paqes dhe qëndresës. “Jo ngjyra revolucioni të huaj, por ngjyrat tona,” thonë ata, duke sfiduar akuzat e pushtetit për një “revolucion të huaj me ngjyra”.