Barcelona është duke përgatitur një verë aktive në merkato me 3-4 përforcime të planifikuara, por paralelisht po punon edhe për rinovimin e kontratave të disa lojtarëve aktualë. Njëri prej tyre është Frenkie de Jong, që është bërë sërish pjesë thelbësore e projektit të klubit.
Vetëm gjashtë muaj më parë, e ardhmja e mesfushorit holandez dukej e largët nga Camp Nou, por rikthimi i tij në formacion gjatë pjesës së dytë të sezonit dhe paraqitjet pozitive kanë ndryshuar situatën. Tani, Barcelona ka filluar negociatat për një kontratë të re, duke shpresuar të arrijë marrëveshjen përpara se de Jong të hyjë në vitin e fundit të kontratës aktuale, që përfundon në vitin 2026.
Sipas Jijantes, përmes Mundo Deportivo, klubi katalanas ka përshpejtuar procesin dhe dëshiron ta finalizojë rinovimin brenda kësaj jave. Vetë lojtari ka shprehur gatishmërinë për të qëndruar dhe për të pranuar një ulje page, çka do t’i jepte Barcelonës më shumë hapësirë në listën e pagave.
Ky fleksibilitet financiar do të lejonte klubin të regjistrojë zyrtarisht portierin Joan Garcia, që tashmë ka firmosur, si dhe të afrohet më shumë drejt objektivit të radhës në merkato, Nico Williams.
Nën drejtimin e trajnerit të ri Hansi Flick, de Jong ka përjetuar një rilindje në fushë, duke qenë ndër më të mirët në fundin e sezonit. Rinovimi i tij shihet si një hap strategjik për të garantuar stabilitet në mesin e fushës dhe për të ndërtuar të ardhmen rreth një lojtari me përvojë dhe potencial të lartë.