Mesfushori i talentuar i Real Madridit, Jude Bellingham, mund të përballet me një mungesë të gjatë nga futbolli pas raportimeve se do t’i nënshtrohet një operacioni në shpatull, i cili mund ta mbajë jashtë fushave deri në fund të vitit 2025.
Bellingham, 21 vjeç, që prej transferimit të tij nga Borussia Dortmund në verën e vitit 2023, është shndërruar në një nga figurat më të spikatura të “Los Blancos”. Aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara me Realin, që po garon në versionin e ri të Kupës së Botës për Klube të FIFA-s.
Ai shënoi një gol në fitoren 3-1 të Real Madridit ndaj Pachuca-s të dielën, por pas ndeshjes u raportua se anglezi do të kryejë një operacion për një problem të vazhdueshëm në shpatull.
Sipas The Standard, Bellingham e ka konfirmuar vetë lajmin:
“Kam arritur në një pikë ku dhimbja nuk është aq e keqe, por u lodha duke luajtur me fasho. Po humbas shumë peshë nga djersitja dhe kam vendosur që pas turneut të bëj operacionin. Kam pritur gjatë dhe durimi po më soset, por fizioterapistët dhe mjekët kanë qenë fantastikë. Dua vetëm të ndihem i lirë.”
Ndërkohë, gazetari Alberto Pereiro ka deklaruar në Onda Cero se rikuperimi i plotë mund të zgjasë më shumë se katër muaj, dhe se është e mundur që Bellingham të mos rikthehet fare në fushë gjatë vitit 2025:
“Dy ditë pas përfundimit të pjesëmarrjes së Madridit në këtë Kupë të Botës, ai do të kryejë operacionin. Mungesa pritet të zgjasë tre deri në katër muaj, por procesi i rikuperimit të plotë të shpatullës nuk mund të përshpejtohet. Dhimbjet kanë qenë të mëdha dhe ai nuk mund të shtynte më.”
Kjo mungesë nuk do të ndikojë vetëm Real Madridin në garat vendimtare të sezonit, por edhe përfaqësuesen angleze, e cila do të ndjejë mungesën e Bellingham në grumbullimin e shtatorit, ku Anglia do të luajë dy ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Andorrës dhe Serbisë. Trajneri Thomas Tuchel do të duhet të përballet me këtë mungesë të madhe në mesin e fushës.
Real Madridi rikthehet në fushë të enjten për të përballuar RB Salzburgun në Lincoln Financial Field, në kuadër të Kupës së Botës për Klube. Por lajmet për Bellinghamin hedhin një hije të madhe mbi vazhdimësinë e sezonit të “Los Blancos”.