Ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e ka theksuar tashmë dobësinë më të madhe të Trent Alexander-Arnold, por për Xabi Alonson mund të ketë një zgjidhje.
Alexander-Arnold, 26-vjeçar, ka zhvilluar tashmë dy ndeshjet e para me fanellën e Real Madridit, pasi luajti si titullar në fitoren 3-1 kundër Pachucas në Kupën e Botës për Klube të dielën.
Deri tani, ish-mbrojtësi i djathtë i Liverpoolit ka pasur paraqitje të mira, ndonëse pa shumë ngarkesë në përballjet ndaj Al Hilal dhe Pachuca.
Media spanjolle MARCA e vlerësoi performancën e tij, duke shkruar: “Trent Alexander-Arnold la mbresa në një ndeshje të zhvilluar në vapë përvëluese. Ai kontribuoi dukshëm duke treguar aftësinë karakteristike për të kaluar nga krahu drejt qendrës; ai dha një top të mprehtë për Garcian, duke treguar çfarë mund të presë Alonso prej tij kur të përshtatet plotësisht me sistemin.”
“Anglezi, i kritikuar për një debutim të pasigurt ndaj Al Hilal, iu përgjigj me qetësi, inteligjencë pozicionale dhe shpërndarje të saktë të topit. Kur u zëvendësua në minutën e 78-të, publiku e përshëndeti me duartrokitje.”
Megjithatë, sfida më të mëdha pritet të vijnë, veçanërisht kur të përballet me ekipe si Barcelona dhe Atletico Madrid në La Liga.
Në vitin 2021, Zidane – atëherë trajner i Real Madridit – kishte identifikuar pikën më të dobët të anglezit. Pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit, Zidane tha se kishte synuar pikërisht mbrojtësit e avancuar të Liverpoolit, Alexander-Arnold dhe Andreë Robertson:
“Anësorët e Liverpoolit ngjiten shumë përpara, prandaj për ne funksionoi mirë, sidomos për Viniciusin,” tha Zidane në një konferencë për shtyp.
“Kishim udhëzim të qartë për të kërkuar topa të gjatë pas shpinës së tyre sapo të rimerrnim topin.”
Gjithë karrierën, aftësitë mbrojtëse të Alexander-Arnold janë vënë në dyshim, pavarësisht teknikës së jashtëzakonshme. Edhe trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, në maj vuri në pikëpyetje “disiplinën e tij mbrojtëse”.
“Shpesh mbështetet shumë te kontributi ofensiv dhe nuk i kushton rëndësi të mjaftueshme disiplinës dhe përkushtimit mbrojtës,” tha Tuchel.
“Nëse do të ketë ndikim të ngjashëm me atë që pati te Liverpooli, duhet ta marrë shumë seriozisht aspektin mbrojtës. Sepse në ndeshjet kualifikuese ose ato të turneve, një gabim i vetëm, një moment mungese përqendrimi, mund të jetë fatale – mund të thotë kthim në shtëpi.”
Po si mund ta mbrojë Alonso Trentin nga situatat ku ekspozohet?
Deri tani, Alonso ka përdorur formacionin 4-3-3 në Real Madrid – ndryshe nga 3-4-2-1 që e aplikonte te Bayer Leverkusen. Kundër skuadrave më të forta, ai mund të zgjedhë ta vendosë Alexander-Arnold si mbrojtës të djathtë të avancuar (ëing-back), ndërsa Dani Carvajal të zhvendoset në qendër të mbrojtjes, në anën e djathtë.
Një opsion tjetër është që Fede Valverde – që ka luajtur edhe si mbrojtës i djathtë – të mbulojë hapësirën kur Alexander-Arnold ngjitet përpara. Kjo do të ruante balancën dhe do të mbronte më mirë krahun e djathtë të Realit.