Pas një paralajmërimi nga Ambasada e SHBA-së në Katar, edhe qeveria britanike u ka kërkuar shtetasëve të saj në Katar të qëndrojnë të strehuar deri në një njoftim të dytë.
Përmes një postimi në X, Britania u ka kërkuar shtetasëve të saj në Katar të strehohen, duke thënë:
“Pas një paralajmërimi sigurie të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara për shtetasit amerikanë në Katar, dhe për shkak të kujdesit të shtuar, ne u rekomandojmë shtetasve britanikë që ndodhen në Katar të qëndrojnë të strehuar dhe të mos dalin deri në një njoftim të dytë”.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës Ambasada e SHBA-së në Katar lëshoi një paralajmërim urgjent sigurie, duke i këshilluar shtetasit amerikanë të qëndrojnë në një vend të sigurt dhe të shmangin lëvizjet jashtë për shkak të një kërcënimi të paidentifikuar, të cilin autoritetet nuk e specifikuan. Alarmimi erdhi ndërkohë që tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm për shkak të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
E pas këtij paralajmërimi, edhe qeveria britanike reagoi duke dhënë të njëjtën këshillë për shtetasit e saj në Katar.