Eksperti të sigurisë, Adrian Shtuni duke folur për zhvillimet në Lindjen e Mesme ka thënë se natyra e krizës globale është e tillë që askush nuk mbetet imun ndaj pasojave të saj, por jo të gjithë preken njësoj.
“Kosova është e cenueshme përgjithësisht në mënyrë të moderuar, por krahasimisht më shumë sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai, duke përmendur arsyet ekonomike, politike dhe të sigurisë.
Adrian Shtuni, nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit, thekson se Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj pasojave ekonomike që mund të shkaktojë kjo krizë.
Ai shpjegon se situata do të përkeqësohej ndjeshëm në rast se Irani vendos të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, nga kalon rreth 20 për qind e konsumit global të naftës dhe gazit natyror.
Për një vend si Kosova, i cili tashmë ka përjetuar një rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike me 16% këtë vit, “rritja e mëtejshme do të ishte një shok për ekonominë”, thotë Shtuni për Radion Evropa e Lirë.
Ai nënvizon se, me një ekonomi të mbështetur fort në importe dhe remitenca – të cilat përbëjnë rreth 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto – çdo tronditje në ekonominë globale do të përkthehej menjëherë në presion mbi familjet kosovare.
“Gjithashtu, fakti që Kosova ka një deficit tregtar të konsiderueshëm, që në dhjetor të vitit 2024 u rrit me 17.5% krahasuar me një vit më parë, e ekspozon atë akoma edhe më shumë ndaj një krize globale, që do të rriste jo vetëm çmimin e energjisë, por edhe të ushqimeve dhe mallrave të konsumit, që vendi kryesisht i importon”, thotë Shtuni.
Eksperti me seli në Uashington paralajmëron se pasojat ekonomike nuk mund të shkëputen nga sfidat politike dhe të sigurisë.
Në kohë krizash, kur vëmendja e partnerëve strategjikë është e shpërndarë, ai thotë se Kosova rrezikon të dalë edhe nga radari i aleatëve të saj më të rëndësishëm.
Në të njëjtën linjë, Shtuni shton se aktorët me qëllime jomiqësore ndaj Ballkanit Perëndimor, veçanërisht ata që tradicionalisht janë kundër anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE dhe NATO, mund të shfrytëzojnë amullinë e krizave globale për të destabilizuar rajonin.
Sipas tij, këto kërcënime synojnë dy pika të dobëta, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën, duke instrumentalizuar përçarjet dhe tensionet ndëretnike në këto dy vende.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë në detyrë të Kosovës për të pyetur nëse janë marrë masa konkrete për të mbrojtur ekonominë dhe sektorin e energjisë nga një krizë globale e mundshme, por nuk mori përgjigje.
Në këtë kontekst sfidues, ekspertët nënvizojnë nevojën urgjente për forcimin e institucioneve dhe për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.
Shtuni thekson se fakti që Kosova, edhe më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve, nuk ka një kuvend të konstituuar dhe qeveri funksionale, e dobëson rëndë kapacitetin e saj për të përballuar sfidat e sigurisë.
Ai e quan këtë një “dobësi të vetëshkaktuar” nga mungesa e vullnetit politik.
“Kjo përbën çarmatosjen më të dëmshme të lidershipit në Kosovë, çarmatosjen nga përgjegjshmëria politike dhe mendimi praktik për zgjidhje kompromisi. Nëse nuk ka vetëdijesim të shpejtë, kjo krizë rrezikon të sjellë pasoja të kushtueshme dhe afatgjata për vendin”, thotë Shtuni.