Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se javën që lamë pas opozita zhvilloi një betejë të rëndësishme ndërkombëtare për denoncimin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke e cilësuar procesin si një farsë që ka tronditur institucionet europiane.
Në një deklaratë publike, Berisha tha:
“Java që kaloi, ishte një javë jashtëzakonisht e rëndësishme për këtë front. Në një sintoni të plotë përfaqësuesit e PD-së në Komitetin e Stabilizim Asociimit në Parlamentin Europian, nënkryetarët e PD-së, Oerd Bylykbashi, Agron Gjekmarkaj, kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, kryetarja e Komisionit për Integrimin, Jorida Tabaku, kryetarja e Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa, deputeti Korreshi, deputetja Zheni Gjergji, paraqitën në aulën e tempullit të demokracisë, të vërtetën e zgjedhjeve, të cilat, siç i theksoi miku i shquar gjerman, ishin si zgjedhje në Zimbabve 30 vite më parë.”
Ai theksoi se përmes këtij denoncimi u evidentua roli i kryeministrit Rama si pengesë për demokracinë.
“Mendoj se përfaqësuesit e PD-së me fjalët e tyre, me argumentet që paraqitën, dëshmuan se Edi Rama është një armik i vërtetë i lirive dhe të drejtave themelore të shqiptarëve, është një armik i rrezikshëm i vlerave themelore të individit dhe shoqërisë së lirë, vlera të cilat bashkojnë kombet e lira europiane.”
Berisha njoftoi se përpjekja e opozitës po vijon në Strasburg.
“Sot beteja vazhdon po Strasburg. Por kësaj radhe vazhdon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, sesionit të saj. Dua të theksoj se si Parlamenti Europian ashtu dhe Këshilli Europës, patën si vëzhgues në këto zgjedhje, delegacionet më të mëdha që ata kanë dërguar ndonjëherë në Shqipëri.”
Në vijim ai shtoi:“Sot në Këshillin e Europës do të paraqitet nga kryetari i delegacionit të Këshillit të Europës, që vëzhgoi zgjedhjet, raporti i parlamentarëve europianë, anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Simone Billi.”
Berisha ndau detaje nga zhvillimet në asamble:
“Ky raport është diskutuar sot në grupet parlamentare dhe do të diskutohet në seancën plenare të kësaj asambleje, për të marrë formën përfundimtare. Zonja Albana Vokshi, e pranishme në grupin parlamentar të Partisë Popullore, paraqiti që në mëngjes një video shokuese, shokuese për audiencën, e cila tregoi se pse zgjedhjet në Shqipëri, ishin një farsë e tipit të Zimbabeve të 30 viteve më parë.”
Ai përfundoi me një koment për përmbajtjen e raportit dhe paralajmëroi një reagim të plotë pas miratimit të tij.
“Edhe njëherë e them, pamjet e paraqitura në tempullin, në grupin parlamentar të Partisë Popullore, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ishin shokuese për audiencën. Tani zhvillohet debati, në të cilat zgjedhjet janë, zgjedhje që nuk kanë të bëjnë me zgjedhje me standardet europiane, siç konstaton vetë delegacioni dhe rreshton aty një listë të gjerë problemesh themelore, manipulimesh, mashtrimesh, blerje vote, por komentet dëshiroj t’i bëj pasi raporti të miratohet në Asamblenë Parlamentare.”