Pas studentëve protestues, Mitropoliti serb fyen rëndë nxënësit e shkollave të mesme në Serbi - Gazeta Express
string(92) "pas-studenteve-protestues-mitropoliti-serb-fyen-rende-nxenesit-e-shkollave-te-mesme-ne-serbi"

Lajme

Gazeta Express

23/06/2025 12:00

Pas studentëve protestues, Mitropoliti serb fyen rëndë nxënësit e shkollave të mesme në Serbi

Lajme

Gazeta Express

23/06/2025 12:00

Pas deklaratave të rënda ku studentët protestues i quajti me “mendje satanike” dhe “bunt demonik”, mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe, Fotije, ka vijuar me fyerjet publike, duke përfshirë kësaj radhe edhe nxënësit e shkollave të mesme që mbështesin protestat studentore në Serbi.

Në një adresim të fundit përpara besimtarëve, mitropoliti Fotije tha se “kur ata të vijnë në vete, do të jetë vonë” dhe se Kisha lutet që të rinjtë “të shpëtohen nga kthetrat e atyre që i mbajnë të kapur”, shkruan Nova

Mitropoliti, i cili është tashmë hapur kundër lëvizjes studentore që prej më shumë se shtatë muajsh po proteston kundër padrejtësive në Serbi, ka përdorur gjuhë të ashpër edhe në tekstin e një poezie të titulluar “Përulësia”, në të cilën të rinjtë që kërkojnë drejtësi i përshkruan si të kapur nga forcat e së keqes.

Në poezi thuhet ndër të tjera:

“…të rinjtë mësojnë anarkinë në vend të përulësisë, pranojnë buntin demonik, duan fron mbi fronet e të tjerëve, mbi atë të Zotit ta vendosin veten, sepse me mungesën e përulësisë, ata fituan mendje satanike…”

Gjatë festës fetare në manastirin e Shën Nikollës, Fotije deklaroi se “studentët po zbatojnë anarki që dikush po përpiqet ta paraqesë si diçka të mirë”, duke shtuar më tej se “fëmijët tanë të rinj janë humbur, nuk shkojnë në shkollë, kanë humbur vitin, dhe kur të kuptojnë gabimin, do të jetë tepër vonë”.

Teologu Blagoje Panteliq, i cili ka qenë kritik i ashpër i përfshirjes së Kishës në përçmimin e protestave, kujton se që nga fillimi i krizës, vetë patriarku Porfirije është përpjekur të relativizojë rëndësinë e bllokadave dhe protestave, duke bërë thirrje për “dialog mes xhelatëve të papenduar dhe viktimave të tyre të pafajshme”.

Kjo nuk është deklarata e parë fyese nga ana e zyrtarëve të Kishës Ortodokse Serbe. Lista e episkopëve dhe mitropolitëve që kanë sulmuar studentët, shpesh duke përdorur retorikë të afërt me propagandën e pushtetit, është në rritje. Në disa raste studentët janë quajtur “ustashë”, “shkatërrues të shtetit”, e madje u është ndaluar edhe hyrja në portat e kishave.

Mitropoliti David i Krushevacit i quajti studentët në një shkrim “zduhaçë” dhe mbështeti teorinë e qeverisë për një “revolucion të ngjyrosur”. Ndërkohë, portali zyrtar i Kishës ka publikuar artikuj ku studentët përshkruhen si njerëz që jetojnë në “univers paralel” dhe që “tallin vlerat e Shën Savës”.

Studentët ende presin një qëndrim të qartë përkrahës nga patriarku Porfirije, megjithëse ai në një fjalim në Moskë deklaroi se në Serbi po zhvillohet një “revolucion i ngjyrosur”, duke konfirmuar kështu pozicionin e hierarkisë kishtare në mbështetje të pushtetit.

Ndërkohë, protestat studentore dhe bllokadat në fakultete në Serbi vijojnë, me pjesëmarrje gjithnjë në rritje dhe mbështetje të gjerë nga shoqëria civile.