Ai u raportua i vrarë në ditën e parë të sulmeve të paprecedenta të Izraelit në Iran, të quajtura Operacioni Luani që Ngrihet, përpara se mediat shtetërore iraniane më vonë të ndryshonin qëndrim dhe të thoshin se ai është “rëndë i plagosur dhe i shtruar në spital”.
Ali Shamkhani, një ndihmës i ngushtë i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duket se ka kaluar tani në rrjetet sociale për të paralajmëruar se edhe nëse sulmet e SHBA-së dhe Izraelit i shkatërrojnë objektet bërthamore të Iranit, “lojës nuk i ka ardhur fundi”.
Ja çfarë duhet ditur për këtë figurë të profilit të lartë ushtarak dhe politik iranian, shkruan CNN.
Loja s’ka papërfunduar: Të dielën, llogaria e Shamkhanit në X postoi se pavarësisht sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit, “materialet e pasuruara”, si edhe “dija vendase” dhe “vullneti politik mbeten”. Ai shtoi: “Befasitë do të vazhdojnë!”.
Kthim nga vdekja?: Shamkhani u raportua i vdekur nga media izraelite dhe iraniane pas sulmeve të paprecedenta të Izraelit më 13 qershor ndaj Iranit, të cilat e nisën konfliktin aktual. Por të premten e kaluar, disa media iraniane, përfshirë IRNA, Tasnim dhe Fars, thanë se Shamkhani nuk ishte i vdekur, duke raportuar në vend të kësaj se ai është “rëndë i plagosur dhe i shtruar në spital” dhe se është “në gjendje të qëndrueshme”. Megjithatë, nuk u publikuan foto të reja të Shamkhanit.
“Fati im për të mbijetuar”: Të shtunën, llogaria e tij në X postoi se ishte “fati im të mbijetoj i plagosur”. Në postim, ai tha: “Do të sakrifikohesha njëqind herë për Iranin”.
Pse u raportua si i vdekur? Sulmet e Izraelit ndaj Iranit vranë disa nga figurat më të fuqishme të vendit, përfshirë kreun e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe forcave ajrore të saj. Shamkhani u përmend nga mediat shtetërore iraniane si një prej tyre përpara se të dilnin raportime gjatë fundjavës se ai në fakt ka mbijetuar.
Kush është ai? Një ndihmës i ngushtë i Khameneit, Shamkhani përfaqësoi Teheranin në bisedimet që çuan në një marrëveshje historike për t’i rivendosur marrëdhëniet diplomatike me armikun e dikurshëm, Arabinë Saudite. Shamkhani shërbeu si zyrtari më i lartë për sigurinë kombëtare të vendit për një dekadë, nga viti 2013, dhe përpara kësaj mbajti disa poste të rëndësishme, përfshirë në IRGC dhe në ministrinë e mbrojtjes.
Portofol i gjerë: I konsideruar si një yll në rritje i diplomacisë iraniane, ai është i njohur mirë në qarqet e politikës së jashtme në Washington dhe në Europë. Në prill, disa ditë para bisedimeve me SHBA-në, Shamkhani paralajmëroi se Teherani mund t’i dëbonte inspektorët bërthamorë të OKB-së dhe ta ndërpriste bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) nëse do të ndihej i kërcënuar.