Mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham, konfirmoi të dielën se do t’i nënshtrohet një operacioni për një problem afatgjatë në shpatull, pasi të përfundojë Kupa e Botës për Klube.
Reprezentuesi anglez ka vuajtur nga dhimbjet që prej nëntorit 2023, kur e kishte zhvendosur shpatullën gjatë një ndeshjeje të La Ligës. Prej atëherë ai ka luajtur me një mbajtëse të fshehur nën fanellë.
Me Real Madridin të fokusuar për ta fituar Kupën e Botës për Klube, operacioni është planifikuar pas finales – çka nënkupton se Bellingham mund të mungojë në fillimin e sezonit të ri në La Liga, për shkak të rikuperimit.
“Kam arritur në pikën ku jam lodhur me atë mbajtëse, me tërheqjet e saj dhe me lojtarët e tjerë që më kapin aty, duke e rregulluar gjithë kohës,” tha Bellingham për DAZN pas fitores 3-1 të Real Madridit ndaj Pachuca-s në Charlotte.
“Kam një operacion të planifikuar pas turneut, mendoj disa ditë pas finales, dhe do të shkoj ta bëj që ta rregulloj shpatullën.”
“Jam shumë i lumtur për këtë, ka kohë që e pres. E kam humbur durimin me mbajtësen.”
“Fizioterapisti dhe mjeku këtu kanë qenë të jashtëzakonshëm, më kanë ndihmuar të luaj vazhdimisht, por tani jam në pikën ku dua ta kem shpatullën e lirë dhe trupin e lirë nga ajo mbajtëse.”
Sipas raportimeve, rikuperimi pas operacionit mund të zgjasë deri në 12 javë, që do të thotë se përveç disa ndeshjeve të para në La Liga, Bellingham mund të mungojë edhe në ndeshjet kualifikuese të Anglisë për Kupën e Botës në shtator ndaj Andorrës dhe Serbisë.