Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i cili ndodhet aktualisht në Moskë, njoftoi se do të zhvillojë “bisedime serioze dhe të rëndësishme” me Presidentin rus Vladimir Putin mbi “sfidat dhe kërcënimet e përbashkëta”.
Rusia ka dënuar ashpër sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, dhe ambasadori rus në OKB tha se Shtetet e Bashkuara kanë “hapur kutinë e Pandorës”.
Ministri iranian pritet të marrë mbështetje të fortë politike nga Kremlini gjatë takimit të paralajmëruar me Putinin, por ndihma ushtarake nga Moska nuk ka gjasa.
Në fakt, përparësia aktuale e Rusisë është lufta në Ukrainë. Edhe pse Rusia dhe Irani kanë një marrëveshje partneriteti strategjik, ajo nuk është një pakt mbrojtjeje dhe Moska nuk është e detyruar t’i ofrojë mbështetje ushtarake Teheranit.
Javën e kaluar, Vladimir Putin tha se Irani as nuk i ka kërkuar Rusisë ndihmë ushtarake, dhe fjalët e tij e bënë të qartë se ai nuk ka ndërmend të nxitohet për të ofruar një ndihmë të tillë.
Në vitet e fundit, Kremlini është përpjekur të ruajë marrëdhënie të mira si me Iranin ashtu edhe me Izraelin, por edhe të ndërtojë një marrëdhënie pune me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.