Kombet arabe kanë reaguar shpejt, ja një përmbledhje e asaj që kanë thënë:
Omani, i cili po ndërmjetësonte bisedimet bërthamore midis Uashingtonit dhe Teheranit, dënoi fuqimisht sulmet amerikane në vendet bërthamore në Iran.
Sulltanati i Gjirit “shpreh shqetësim të thellë, denoncim dhe dënim të përshkallëzimit që rezulton nga sulmet ajrore të drejtpërdrejta të nisura nga Shtetet e Bashkuara”.
Arabia Saudite, e cila ka lidhje të forta sigurie me SHBA-në dhe është një nga aleatët e saj më të ngushtë rajonalë, tha se dënon “shkeljen e sovranitetit të Iranit dhe thekson nevojën për përmbajtje”, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare “të dyfishojë përpjekjet në këto rrethana jashtëzakonisht të ndjeshme për të arritur një zgjidhje politike”.
Ministria e jashtme e Katarit paralajmëroi se “tensionet e rrezikshme aktuale do të çojnë në pasoja katastrofike në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”. Tha se “shpreson që të gjitha palët do të tregojnë mençuri dhe përmbajtje në këtë kohë”.
Egjipti paralajmëroi për “rreziqet e rrëshqitjes së rajonit në kaos dhe tension të mëtejshëm”, duke theksuar se “zgjidhjet politike dhe negociatat diplomatike, jo një zgjidhje ushtarake, janë e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza”.
Ndërkohë, Presidenti libanez Joseph Aoun tha se “bombardimi i objekteve bërthamore iraniane rrit nivelin e frikës nga një përshkallëzim i tensioneve që do të kërcënonte sigurinë dhe stabilitetin në më shumë se një rajon dhe vend”, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.