Trajneri i Borussia Dortmundit, Niko Kovaç, ka komentuar me ironi kushtet ekstreme klimatike në të cilat u zhvillua ndeshja ndaj Mamelodi Sundowns në Cincinnati, e vlefshme për Kupën e Botës për Klube.
“Po djersitesha sikur sapo kisha dalë nga sauna,” u shpreh ai pas fitores në temperaturat që arrinin 32°C.
Për të shmangur nxehtësinë, futbollistët rezervë të Dortmundit ndoqën pjesën e parë nga dhoma e zhveshjes, ndërsa në pjesën e dytë qëndruan në bankinë nën çadra dielli – një veprim i pazakontë, por i arsyeshëm për kushtet ekstreme. “Asnjëherë nuk e kemi parë këtë më parë, por në këtë vapë, është plotësisht e kuptueshme,” shkroi klubi në platformën X.
Kovaç kishte ngritur shqetësimet për temperaturat që para ndeshjes, e cila filloi në mesditë me orën lokale. “Ishte e vështirë për të dy skuadrat, por kundërshtari është më i mësuar me këtë klimë, duke qenë nga Afrika e Jugut,” tha ai pas përfundimit të takimit.
Kushtet ekstreme të motit vazhdojnë të ndikojnë në rrjedhën e turneut. Të premten u shty një tjetër ndeshje për shkak të stuhive me rrufe, ndërkohë që një valë e madhe të nxehti pritet javën e ardhshme.
Për shkak të shirave dhe stuhive të fuqishme në Orlando, pjesa e dytë e ndeshjes mes Benfikës dhe Auckland City u nis me më shumë se dy orë vonesë. Edhe takimi mes Mamelodi Sundowns dhe Ulsan HD në të njëjtin qytet u shty për mbi një orë.
Ndërprerje të gjata pati edhe në pjesët e dyta të përballjeve Palmeiras – Al-Ahly në New Jersey (40 minuta) dhe Salzburg – Pachuca në Cincinnati (90 minuta).
Sipas grupit “Fossil Free Football”, dhjetë ndeshje të planifikuara për javën e ardhshme do të zhvillohen në kushte të rrezikshme për shkak të të nxehtit, me temperatura që mund të arrijnë deri në 41°C.
Kjo situatë vjen vetëm një vit para Kupës së Botës 2026, e cila do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Eksperti britanik i stresit nga nxehtësia në sport, Dr. Chris Tyler, tha: “Shumë nga lojtarët që do të marrin pjesë në vitin 2026 tashmë po përballen me një shije të asaj që i pret.”
Ai shtoi se shumë ndeshje janë planifikuar para orës 17:00 për të rritur audiencën televizive, por në këto kushte “nxehtësia ekstreme mund të jetë kundërshtari më i fortë i turneut”.
Në një deklaratë zyrtare, FIFA njoftoi se do të vazhdojë të monitorojë nga afër kushtet atmosferike në bashkëpunim me ekipet organizative të stadiumeve, për të siguruar një përvojë të sigurt dhe të këndshme për të gjithë pjesëmarrësit.