Shqipëria po përballet me një rritje të ndjeshme të aksidenteve rrugore gjatë sezonit veror, veçanërisht me përfshirjen e skuterave elektrikë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025 janë regjistruar 212 aksidente me këtë mjet transporti, ndërkohë që nuk kanë munguar as rastet fatale.
Sipas mjekut ortoped Ilir Hasmuça, krahasuar me 694 aksidentet e vitit 2024, numri i rasteve këtë vit pritet të jetë i njëjtë ose më i lartë, duke parë ritmin e ngjarjeve. Aksidentet përfshijnë jo vetëm mjetet motorike, por edhe biçikleta, skuterë elektrikë dhe këmbësorë, të cilët ndodhen më shpesh në rrugë gjatë muajve të verës.
Rritja e fluksit të lëvizjes, sidomos për shkak të turistëve dhe përdorimit të mjeteve të lehta urbane, konsiderohet si një nga faktorët kryesorë të aksidenteve. Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të qarkullimit.