Emisioni EURO n’T7 ka prezantuar të dhënat, matje të opinionit publik, të cilat janë bërë ekskluzivisht për nevoja të emisionit nga UBO CONSULTING për dy çështje shumë me rëndësi për kushtet e jetesës së qytetarëve.
Profesori universitar Bashkim Mustafa, duke komentuar këto të dhëna, ka thënë se përqindja prej 79% e qytetarëve që janë deklaruar se janë prekur në masë të madhe nga rritja e çmimeve, tregon për politikat e gabuara të udhëhequra nga qeveria aktuale në raport me rritjen e çmimeve.
Dalja e këtyre të dhënave, sipas Mustafës, e konfirmon atë që është thënë edhe më herët nga UNDP-ja, të cilët kanë theksuar se mbi 100.000 kosovarë jetojnë në varfëri ekstreme.
“Kjo matje e opinionit, ku tregohet se 79% e qytetarëve janë prekur në masë të madhe nga ngritja e çmimeve, tregon shumë qartë se ngritja e vazhdueshme e çmimeve e ka ndryshuar stilin e jetesës së qytetarëve, për arsye se nuk kemi lëvizje të pagave. Ka kohë që kemi theksuar se indeksimi i pagave, së paku aq sa është shkalla e inflacionit, do të duhej të kishte ndodhur shumë më herët, kjo për të ruajtur konsumin e shportës bazë”, ka thënë Mustafa.
Në anën tjetër, sipas Mustafës, mosreagimi qeveritar karshi inflacionit ka bërë që të kemi një degradim të ciklit jetësor dhe ky degradim po vazhdon ende.
“Sot kemi rritje të çmimit të shportës bazike për së paku 100% në raport me periudhat paraprake dhe kjo reflekton tek secili, sepse kjo ngritje e çmimeve nuk është përcjellë me ngritje të pagave, nuk është përcjellë me investime kapitale, nuk është përcjellë me rritje të shpenzimeve publike. Ne sot kemi vetëm një komponentë të rritjes ekonomike – atë të konsumit – derisa kjo komponentë na jep të dhëna se 89% e konsumit e kemi nga importi, dhe kjo tregon se sa shumë para të kosovarëve dalin çdo ditë jashtë vendit”, ka shtuar Mustafa.
Ndryshimi për të keq i cilësisë së jetesës së qytetarëve tanë, sipas profesorit Mustafa, vjen edhe si pasojë e dështimit në secilën hallkë institucionale të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.