Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se ushtria izraelite ka vrarë një komandant me përvojë të krahut të jashtëm të Gardës Revolucionare iraniane, gjatë një sulmi në një apartament në qytetin Qom, në Iran.
Komandanti veteran, Saeed Izadi, kishte udhëhequr Korpusin Palestinez të Forcave Quds, tha Katz në një deklaratë të shtunën e cituar nga Reuters.
Nuk pati asnjë konfirmim nga Garda Revolucionare.
Forca Quds ndërtoi një rrjet aleatësh arabë të njohur si Boshti i Rezistencës, duke themeluar Hezbollahun në Liban në vitin 1982 dhe duke mbështetur Hamasin në Rripin e Gazës. Por rrjeti i lidhur me Iranin ka pësuar goditje të mëdha gjatë dy viteve të fundit pasi ofensivat izraelite kanë dobësuar Hamasin dhe Hezbollahun.
Katz tha se Izadi financoi dhe armatosi Hamasin gjatë sulmeve të tij në tetor 2023 ndaj Izraelit, duke e përshkruar vrasjen e komandantit si një “arritje të madhe për inteligjencën izraelite dhe forcat ajrore”.
Izadi u sanksionua nga SHBA dhe Britania e Madhe për lidhjet e tij me Hamasin dhe fraksionin militant palestinez Xhihadi Islamik./Express/