Ekspo/ Të gjesh të bukurën e të përditshmes - Gazeta Express
string(42) "ekspo-te-gjesh-te-bukuren-e-te-perditshmes"

Arte

Donjeta Abazi

20/06/2025 17:23

Ekspo/ Të gjesh të bukurën e të përditshmes

Arte

Donjeta Abazi

20/06/2025 17:23

Ditë më parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës- Qafa, u hap ekspozita personale e artistit Blerim Racaj “To feel your mood like the weather”, kuruar nga Bardhi Haliti

Në pah, në ekspozitë, vihet zhvillimi i praktikës së punës së artistit në fushën e fotografisë, por përtej kësaj një pjesë e madhe e ekspozitës zënë vend pesë projekte kyçe: Kosovars (Kosovarët), Indecisive Moment (Moment Pavendosshmërie), Ephemeral Notes (Shënime Kalimtare), Vend, dhe Rruga B.

E thjeshtë, reale dhe intime

Fotografitë, portretet të të gjitha formateve, të kornizuara e pa korniza, na ballafaqojnë me jetën reale që e jetojmë çdo ditë ama që syri i fotografit sa i bën të para aq edhe të ndjeshme e kreative. Në një numër i madh i portretesh që janë ekspozuar kanë në fokus njerëz të profesioneve të ndryshme që me thjeshtësinë e dukjeve të tyre, na paraqiten si art real dhe intim. Duke kaluar nga këmisha e gjakosur tek njëri nga protagonistet, të buzëqeshja e punëtores në sallonin e ondulimit e deri tek detajet e tjera mes njerëzve e objekteve, ne e bëjmë një udhëtim sa real edhe intim, sepse futemi brenda jetës së tjetrit, profesionit dhe gjendjeve që ata përçojnë tek fotoaparati.

Përtej personave që janë objekt i fotografitë në disa nga punët që janë pjesë e kësaj ekspozite, një hapësirë bukur të gjerë e zë paraqitja e natyrës dhe copëzave të saj në gjendje të ndryshme. E gjithë forma e copëzave, e qosheve, e hapësirave të natyrës që janë kornizuar nga artisti shënojnë akte intime të asaj që mbërrin tek sytë e audiencës përmes gjendjeve të caktuara e duke ven në pah hapësira të caktuara në momente të ndryshme.

Ajo që na kalon pa e vërejtur

Hapësira e bardhë e galerisë i lë vend qetësisë dhe reflektimit, ndërsa vizitori përballet me një mori fotografish të vendosura me kujdes, thuajse si të ishin pjesë të një ditari personal. Kjo ekspozitë vizuale nuk ka nevojë për fjalë të tepërta: imazhet flasin vetë: për njerëz, vende, fragmente jete që në pamje të parë duken të zakonshme, por që në kontekstin e ekspozitës marrin një peshë të re.

Sfondet urbane dhe gjelbërimi i prapaskenës i japin një kontrast midis natyrës dhe realitetit urban. Fytyra e njerëzve nuk janë thjesht portrete, por rrëfime. Ato ngjallin pyetje për identitetin, për përkatësinë, për ndjeshmërinë njerëzore.

Në një anë tjetër të hapësirës, një përzierje e peizazheve, skenave të brendshme dhe momenteve spontane formojnë një lloj harte emocionale. Fotot më të vogla, të vendosura në grupe në afërsi të tokës, krijojnë një lloj ritmi vizual që e fton vizitorin të ulet, të përkulet, të afrohet; një lloj rituali i vëmendjes ndaj detajeve.

Fotografitë bardh e zi në disa imazhe na kujtojnë një nostalgji të përmbajtur, ndërsa fotografitë me ngjyra, disa me tekstura industriale e të tjera më intime, krijojnë një dialog të brendshëm midis njeriut dhe mjedisit.

Ekspozita të kujton se e bukura fshihet në të përditshmen, se historia e secilit individ ka vlerë estetike dhe emocionale. Vendosja e fotografive në nivele të ndryshme të murit; disa në lartësi standarde, të tjera shumë afër dyshemesë; e bën hapësirën të ndjeshme dhe eksperimentale.

Në tekstin kuratorial, kuratori Bardhi Haliti tregon edhe për mënyrën e punës së artistit, gjë që e benë krejt ekspozitës edhe më interesante dhe më sfiduese

“Racaj ka punuar me gjithçka prej kamerave të formatit të gjerë dhe të mesëm deri te DSLR-të, kamerat kompakte digjitale, dhe së fundmi, kamerën e telefonit. Shumë prej këtyre imazheve të ndërmjetme janë bërë me telefonin e tij, shpesh në transit, në çaste të pangarkuara nga përgatitja. Në një mënyrë mjetet e tij të punës pasqyrojnë kufizimet e jetës moderne. Sot, ne formohemi po aq nga impulsi artistik sa nga limitet e bagazhit të aviokompanive. Kur nuk mund të udhëtosh me arsenalin e plotë të pajisjeve pa paguar shtesë, kamera e telefonit bëhet jo vetëm e domosdoshme, por edhe instrument i intuitës.”

Si përfundim, kjo ekspozitë është një reflektim i qetë dhe i sinqertë mbi jetën e zakonshme. Ajo nuk kërkon të bëjë zhurmë, përkundrazi, ajo ofron një hapësirë për ndalim dhe ndjeshmëri. Një rrëfim vizual për lidhjet njerëzore, ambientin përreth dhe për momentet që shpesh na kalojnë pa u vërejtur.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 korrik.

/Gazeta Express